Maji 2023, i dyti më i ngrohtë në botë, por si ishte në Kosovë

Maji 2023, i dyti më i ngrohtë në botë, por si ishte në Kosovë

Maji i vitit 2023 ishte veçanërisht i ngrohtë për disa rajone në mbarë botën, duke thyer qindra rekorde të temperaturës. Ai u regjistrua si maji i 2-të më i ngrohtë që nga viti 1979 në mbarë botën.

Temperatura mesatare në maj 2023 në Evropë u luhat me 0.01°C nën nivelet e periudhës 1991-2020, ndërsa globalisht me 0.39°C mbi nivelet e periudhës 1991-2020. Devijimet më të mëdha pozitive të temperaturës u regjistruan në rajonet e Evropës Veriore dhe Perëndimore (Francë, Spanjë, Portugali) si dhe në rajonet e Rusisë Veriperëndimore. Devijime negative janë vërejtur në Evropën Verilindore dhe në Ballkan.

Reshje të ftohta dhe të dendura shiu në Ballkan dhe Itali

Temperatura në maj 2023 në pjesën më të madhe të Ballkanit ishte 1 deri në 2°C nën normalen e sezonit.

Krahas temperaturave të ulëta për sezonin, shumë reshje shiu u regjistruan në zonat e Ballkanit Perëndimor dhe Italisë. Në Itali më 16-17 maj një stuhi e fortë goditi rajonin e Emilia-Romagna, duke shkaktuar një numër të madh vdekjesh si dhe dëme masive në infrastrukturë dhe objekte.

Ndërsa në Kosovë maji 2023 ishte më i ftohtë se dy vitet e kaluara, por edhe më i lagësht, e me pak diell se viti i kaluar. Në përgjithësi pranvera duket të jetë stina me e ftohtë dhe e lagësht në Kosovë për këtë vit, për dallim vitet e kaluara.

/Motilokal.com