Bjeshkëve të Kosovës po i shtohen shtigjet e ecjes

Bjeshkëve të Kosovës po i shtohen shtigjet e ecjes

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës përmes në postimi në Facebook ka bërë të ditur se projektit “NaturKosovo”, po ndihmon në zhvillimin dhe promovimin e shtigjeve të ecjes “Via Dinarica” në territorin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

Projekti për shtigjet e ecjes “Via Dinarica”, do të ndikojë në zhvillimin e sektorit të turizmit përgjatë shtrirjes së shtegut në territorin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, në tri komunat Pejë, Deçan dhe Junik.

“Tashmë kanë filluar punimet për konsolidimin dhe mirëmbajtjen e shtigjeve, të shtegut “Via Dinarica”. Paraprakisht janë bërë hulumtimet dhe studimet e nevojshme për realizimin e aktiviteteve përkatëse”, njofton AMMK.

Sipas AMMK-së pjesë e projektit do të jetë edhe shpërndarja e granteve për ofruesit e shërbimeve turistike në zonën e veprimit të projektit përgjatë shtegut “Via Dinarica”, që përfshinë një fond prej 360 mijë euro, i cili do të jetë në dispozicion për të mbështetur aktivitetet që kanë të bëjnë me promovimin e shtegut, mikpritjen, akomodimin, hotelerinë, dhe promovimin e produkteve vendore.

Shtegu i ecjes në parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, është pjesë e shtigjeve “Via Dinarica” që përveç Kosovës, shtrihet në shtatë shtete, Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje Hercegovinë, Serbi, Kroaci, Slloveni dhe Itali. Qëllimi i shtegut është që përmes zhvillimit të ekoturizmit të mundësojë lidhjen e komuniteteve rajonale, dhe bashkëpunimit rajonal.

Projektit “NaturKosovo”, është duke u financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Prishtinë.

/Motilokal.com