Dy lloje të zogjve pajisen me gjurmues satelitor në Shqipëri

Dy lloje të zogjve pajisen me gjurmues satelitor në Shqipëri

Qendra Shpendët e Shqipërisë, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se në kuadër të projektit “Studimi i shpendëve folezues nëpërmjet metodave inovative”, me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Fondit Botëror për Mjedisin (GEF/SGP), realizoi për herë të parë në Shqipëri pajisjen me gjurmues satelitor të një individi folezues të Kalorësit (Himantopus himantopus) dhe një individi folezues të Sqepbizës (Recurvirostra avosetta).

Bëhet e ditur se qëllimi i këtij veprimi është studimi i lëvizjes së këtyre llojeve, me synim gjenerimin e të dhënave tepër të dobishme për informimin e veprimeve të ruajtjes dhe menaxhimit për llojet në fjalë dhe për mjediset e tyre të folezimit dhe ushqimit në Shqipëri, si dhe trajnimi i ornitologëve të rinj për zbatimin e kësaj metodike.

Tutje theksohet se për realizimin e këtij veprimi është përzgjedhur dhe zbatuar protokolli dhe teknologjia më e përditësuar që mundëson shqetësimin më minimal të shpendëve gjatë folezimit, e cila konsiston në përzgjedhjen e periudhës dhe kohës më të favorshme për ndërhyrje si dhe përdorimin e mjeteve të krejtësisht të reja që mundësojnë kapjen e shpendëve me ndikim pothuajse zero në koloni apo fole.

“Në të ardhmen e afërt lëvizja e këtyre dy individëve do të pasqyrohet në një platformë online ku publiku i gjerë do të ketë akses. Raportet e detajuara të gjurmimit dhe interpretimi përkatës do të ndahen me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, në mënyrë periodike, për sa kohë do të vazhdojë gjurmimi”, thuhet në njoftim.


/Motilokal.com