Moti për ditët në vijim, sinoptikania tregon si do të mbyllet muaji prill

Moti për ditët në vijim, sinoptikania tregon si do të mbyllet muaji prill

Me sa duket diellin do ta kemi me kursim këtë prill. Ndryshe nga marsi që na solli temperatura të larta, gati për plazh, prilli do të vazhdojë me reshje dhe lagështirë.

Sinoptikania Adiola Bani në një lidhje telefonike në News24 tha se reshjet do të vazhdojnë edhe për dy javët në vijim por me ndërprerje, ndërsa sa i përket temperaturave do të ketë rritje.

“Kjo javë pritet më e ngrohtë se ajo që lamë. Do të kemi reshje gjatë pasditeve duke nisur nga dita e sotme dhe e nesërme. E mërkura do të sjellë përmirësim gradual, por do të ketë reshje në zonat malore. Sa iu përket temperaturave do të kemi rritje në ditët në vijim, gjatë fundjavës do të shkojnë në 24-25 gradë celsius. Prilli pritet të mbyllet si një muaj i freskët dhe me lagështirë, në krahasim me marsin. Edhe ditët e fundit pritet të kemi sërish reshje”, tha Bani.