Reduktim drastik: Akulli i detit në Antarktidë ka arritur një minimum historik

Reduktim drastik: Akulli i detit në Antarktidë ka arritur një minimum historik

Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) raportoi se akulli i detit Antarktik arriti një rekord të ulët muajin e kaluar, duke ngritur shqetësime tek ekspertët e ndryshimeve klimatike.

Sipas WMO, nivelet e akullit të detit në Antarktidë muajin e kaluar, që ishte qershori më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë, ishin më të ulëtat në historinë e monitorimit satelitor, deri në 17 për qind nën mesataren.

"Ne zakonisht shohim ulje të mëdha të akullit të detit në Arktik, por jo në Antarktik. Kjo është një rënie e madhe", tha Michael Sparrow, udhëheqës i Programit Botëror të Kërkimit Klimatik.

Sipas WMO, temperaturat globale të sipërfaqes së detit ishin të larta rekord në maj dhe qershor për sezonin, dhe organizata paralajmëroi se ngrohja e oqeaneve të botës po përhapet me shpejtësi dhe po depërton në shtresat më të thella.

"WMO paralajmëron se nuk ka të bëjë vetëm me temperaturën e sipërfaqes, por i gjithë oqeani po ngrohet dhe thith energjinë që do të mbetet atje për qindra vjet. Kambanat e alarmit po bien veçanërisht fuqishëm për shkak të temperaturave të paprecedentë të sipërfaqes së detit në Atlantikun e Veriut", shtoi WMO.

Organizata WMO parashikon se fenomeni i motit El Nino, i cili filloi kohët e fundit, do të rrisë temperaturat si në tokë ashtu edhe në oqeane, gjë që mund të rezultojë në një numër më të madh goditjesh nga nxehtësia në det dhe temperatura ekstreme.

/Motilokal.com