Ndërsa bota e aviacionit po shikon prodhimin e aeroplanëve me bateri për të ndihmuar qëndrueshmërinë, sektori hekurudhor ka punuar në heshtje për një alternativë më të shpejtë. Hyni në trenat e parë të Evropës me bateri.
Një flotë prej 20 trenash Hitachi Masaccio po qarkullon tani në Itali, ku ata njihen si "Blue". Është faza e parë e një projekti 1.23 miliardë euro i cili do të shtojë 135 trena me bateri në rrjetin e operatorit kombëtar Trenitalia, që qarkullojnë në Kalabria, Friuli Venezia Giulia, Lazio, Toskana dhe ishujt e Sicilisë dhe Sardenjës.
Trenat kanë aftësinë të alternojnë përdorimin e baterisë, energjisë elektrike dhe naftës. Trenat kanë autonomi të shkurtër, deri në 15 kilometra, vetëm me baterinë, por mund të rimbushën gjatë udhëtimit, duke përdorur pantografin (pajisje e vendosur mbi tren që e lidh me një linjë elektrike), ose gjatë frenimit, gjë që do të thotë se mund të rimbushën disa herë gjatë një udhëtimi.
Në çdo tren mund të udhëtojnë deri në 300 udhëtarë.
Trenat janë ndërtuar në 93% me materiale të riciklueshme dhe mund të arrijnë shpejtësinë 160 kilometra në orë. Për reduktimin e konsumit të energjisë, në ta është përfshirë një sistem këshillues për makinistin, i cili do të sugjerojë shpejtësinë më të përshtatshme.
Sipas Hitachi, krahasuar me trenat që përdorin vetëm naftë, trenat hibridë do të reduktojnë konsumin e karburantit me 50%.
“Treni Blues, me teknologjinë e tij pioniere hibride me bateri, është një mënyrë jashtëzakonisht e rëndësishme për hekurudhat në të gjithë Evropën për të reduktuar emetimet e karbonit, duke përmirësuar udhëtimet e pasagjerëve”, tha vitin e kaluar Andrew Barr, shef i grupit të Hitachi Rail, për Pascale Davies të Euronews.
Bateritë do t’i bëjnë trenat më pak të zhurmshëm në zonat urbane. Trenat janë projektuar për hipjen e pasagjerëve me aftësi të kufizuar dhe mund të transportojnë mountain bike, snowboard dhe pajisje të tjera për kohën e lirë.
Për momentin, Blues udhëtojnë së bashku me trena të tjerë pa bateri në Kalabri, Friuli Venezia Giulia, Lazio, Toskana dhe në ishujt e Sicilisë dhe Sardenjës. Në Kalabri, trenat do të udhëtojnë përgjatë brigjeve të Jonit, ndërsa linjat siciliane përfshijnë Mesina-Palermo dhe Mesina-Katania-Sirakuza.
Njëzetë të parët që u nisën këtë verë janë vetëm fillimi. Së shpejti 135 trena me bateri do të transportojnë pasagjerë në gjithë vendin si pjesë e një projekti prej 1,23 miliardë eurosh. Në dy vitet e ardhshme, Hitachi parashikon të prezantojë një model tjetër treni, i cili do të përshkojë deri në 100 kilometra, duke përdorur vetëm energjinë e baterive.
Në gjithë botën, prodhuesit e trenave po përdorin strategji të tjera inovative për të reduktuar ndikimin mjedisor. Në Gjermani, trenat e fuqizuar tërësisht me hidrogjen filluan të udhëtojnë në shtetin verior të Saksonisë së Poshtme vjeshtën e kaluar.
Këtë verë, treni i parë me hidrogjen në Amerikën e Veriut nisi të udhëtojë në Kanada. Vitet e fundit, edhe operatorët hekurudhorë evropianë kanë bërë gjithashtu përpjekje për të elektrizuar binarët e tyre. Por përparimi ka qenë i ngadaltë dhe më shumë se gjysma e linjave hekurudhore të kontinentit funksionojnë me naftë.
Në morinë e këtyre vështirësive, Hitachi thotë se trenat me bateri mund të ofrojnë “një zgjidhje të menjëhershme për të ndihmuar në dekarbonizimin e transportit hekurudhor evropian për pasagjerët”.
/Motilokal.com


