Shkencëtari i NASA-s: Korriku 2023 ka të ngjarë të jetë muaji më i nxehtë i regjistruar në botë

Shkencëtari i NASA-s: Korriku 2023 ka të ngjarë të jetë muaji më i nxehtë i regjistruar në botë

Korriku i vitit 2023 ka të ngjarë të jetë më i ngrohti i regjistruar për “qindra, nëse jo mijëra vjet” në planetin Tokë, vlerësoi të enjten shefi klimatolog i NASA-s.

Disa rekorde të nxehtësisë janë thyer tashmë në korrik, sipas mjeteve nga Bashkimi Evropian dhe Universiteti i Maine në SHBA, të cilat kombinojnë të dhënat nga stacionet në Tokë dhe nga satelitët për të krijuar modele që lejojnë të bëhen vlerësime paraprake.

Megjithëse të dy instrumentet kanë disa dallime nga njëri-tjetri, trendi i rritjes së temperaturave është i pagabueshëm dhe ka të ngjarë të reflektohet në raportet mujore të agjencisë hapësinore amerikane që do të publikohen më vonë, u tha gazetarëve Gavin Schmidt, shefi klimatolog i agjencisë hapësinore amerikane.

Një ditë para të mërkurës, Observatori Evropian i Kopernikut parashikoi se korriku i këtij viti do të jetë më i ngrohti në mbarë botën që nga fillimi i matjeve, pas qershorit që tashmë theu çdo rekord.

“Ne po shohim ndryshime të paprecedentë në mbarë botën,” tha Schmidt.

“Valët e të nxehtit në SHBA, në Evropë, në Kinë po thyejnë rekorde”, vazhdoi ai.

Dhe këto dukuri nuk mund t’i atribuohen vetëm fenomenit El Niño, i cili “sapo filloi”.

El Niño është një fenomen klimatik ciklik, burimi i të cilit është në Oqeanin Paqësor dhe çon në një rritje të temperaturave globale, thatësira në disa pjesë të botës dhe shira të rrëmbyeshëm në të tjera.

“Edhe pse El Niño luan një rol të vogël në zhvillimet aktuale, ne kemi parë që rekordet e temperaturës së sipërfaqes së detit po thyhen edhe përtej tropikëve për disa muaj”, sipas Schmidt.

“Dhe ne parashikojmë se kjo do të vazhdojë”, shtoi klimatologu, “ndërsa ne vazhdojmë të emetojmë gazra serrë në atmosferë.”

Tendencat aktuale rrisin gjasat që viti 2023 të jetë viti më i ngrohtë i regjistruar. Ky probabilitet është “50-50”, sipas llogaritjeve të Gavin Schmidt, por shkencëtarë të tjerë e konsiderojnë atë deri në 80%, sqaroi ai.

“Ne parashikojmë që viti 2024 do të jetë një vit edhe më i ngrohtë pasi fillon me fenomenin El Niño, i cili aktualisht po forcohet dhe do të arrijë kulmin në fund të këtij viti”, shtoi Schmidt.

/Motilokal.com