Lamtumirë zogu blu! Twitter me logo të re

Lamtumirë zogu blu! Twitter me logo të re

Drejtori ekzekutiv i Twitterit, Elon Musk, zëvendësoi logon klasike të "zogut" të platformës së mediave sociale me shkronjën "X".

Musk, i cili shkroi "X.com" në përshkrimin e llogarisë së tij në Twitter, njoftoi se adresa "X.com" tani ridrejtohet në "twitter.com".

Është parë se fotografia e profilit të llogarisë zyrtare të Twitterit në platformë është zëvendësuar me shkronjën "X". Gjithashtu edhe logoja e zogut në llogarinë e Elon Musk-ut është zëvendësuar me shkronjën "X".

"Nëse një logo e mirë X ndahet sonte, ne do të kalojmë drejtpërdrejt në mbarë botën nesër. Është si X", shkroi Musk.

Musk, i cili zotëron SpaceX dhe Tesla, bleu platformën Twitter dhe që atëherë ka kaluar nëpër ndryshime rrënjësore.

Në fillim të këtij viti, Elon Musk zëvendësoi shkurtimisht logon e Twitterit me logon e qenit të kriptomonedhës Dogecoin.

Musk pyeti më herët miliona ndjekësit e tij nëse ata do të ishin dakord që të ndryshonte logoja e famshme. Që kur Musk bleu Twitter-in në Tetor, kompania ka ndryshuar emrin e saj të biznesit në X Corp, duke reflektuar vizionin e miliarderit për të krijuar një “super aplikacion” si WeChat i Kinës.

Twitter mendohet të ketë rreth 200 milionë përdorues aktivë çdo ditë, por nuk ka performuar mirë ekonomikisht që kur Musk bleu platformën e rrjeteve sociale për 44 miliardë dollarë.

Musk shkarkoi rreth gjysmën e stafit në përpjekje për të ulur kostot. Nga ana tjetër reklamuesit kanë qenë të shqetësuar për moderimin e përmbajtjes, por edhe pasigurinë e përgjithshme për të ardhmen e Twitter.

/Motilokal.com