Shpjegimet e një vrojtuesi deti: Ja pse kemi humbje të jetëve në plazhet e Shqipërisë?!

Shpjegimet e një vrojtuesi deti: Ja pse kemi humbje të jetëve në plazhet e Shqipërisë?!

Mes vapës përvëluese të verës, i ulur në një kullë vrojtimi, me dylbi dhe një megafon në dorë duke i udhëzuar plazhistët, kjo është përditshmëria e një vrojtuesi plazhi në bregdetin shqiptar.

Bregdeti i bukur shqiptar është bërë një destinacion i përjetshëm për pushuesit, por fatkeqësisht, mbytjet tragjike po i zbehin kënaqësitë e pushimeve.

Për t’i kuptuar më mirë shkaktarët se çfarë po ndikon në humbjen e jetëve të pushuesve në bregdetin shqiptar, Motilokal.com zhvilloi një intervistë me Festim Sulën, instruktor i vrojtuesve të plazhit.

Në këtë intervistë ai ka ndarë dijen dhe përvojën e tij të gjatë si instruktor dhe vrojtues i plazhit, duke treguar se shumica e mbytjeve ndodhin nga pakujdesia e pushuesve dhe nga mungesa e respektimit të sinjalistikës në plazh. Ai, gjithashtu, ka theksuar se të gjitha plazhet janë potencialisht të rrezikshme nëse pushuesit nuk i ndjekin me kujdes udhëzimet e vrojtuesit të plazhit për të pasur një pushim të sigurt dhe të këndshëm.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Z. Sula, ditëve të fundit në bregdetin shqiptar kanë ndodhur disa mbytje siç rasti i fundit në plazhin e Vilë Bashtovës. Cilët janë shkaktarët e këtyre mbytjeve?

Janë të shumtë faktorët që ndikojnë në lidhje me mbytjen. Por nga eksperienca ime e gjatë në profesionin e vrojtuesit të plazhit, shumica e mbytjeve ndodhin nga pakujdesia e pushuesve dhe nga mosrespektimi i sinjalistikës me anë të flamujve.

Joni apo Adriatiku, cilat plazhet janë më të sigurta në Shqipëri?

Në përgjithësi të gjitha plazhet janë të rrezikshme nëse nuk kemi kujdes dhe nuk ndjekim sinjalistikën e duhur dhe udhëzimet e vrojtuesve të plazhit.

A mund të na tregoni ku ndodhin më tepër rastet e mbytjeve në plazhet tona dhe pse?

Rastet e mbytjeve në plazhet tona, siç ndodh edhe në shumë vende të tjera bregdetare, janë më të shpeshta në zona që nuk janë të mbikëqyrura nga vrojtues plazhi ose të cilat nuk kanë shenjat e nevojshme të sigurisë. Duhet theksuar se këto mbytje ndodhin më shumë në detin Adriatik, ku krijohen më shumë rryma ose vorbulla siç i themi ne, por nuk është e rrezikshme nëse respektohen këshillat e vrojtuesve të plazheve.

Cilat janë detyrat dhe përgjegjësitë kryesore të një vrojtuesi të plazhit?

Vrojtuesi i plazhit është personi përgjegjës për tërë funksionimin e stacionit të plazhit.

Me çfarë sfidash përballeni si vrojtues plazhi në monitorimin dhe mbrojtjen e zonave të plazhit në Shqipëri?

Që në mëngjes duke nisur me kontrollimin e bregdetit, pasi deti sjell sende nga thellësia dhe ne duhet ta pastrojmë, kontrollimi i bovave nëse janë të vendosura në vendin e duhur, kontrollimi i flamujve, e kështu me radhë. Vrojtuesi i plazhit lidh kontaktet me pushuesit. Ai i njofton ata personalisht si dhe arrin të bëjë dallimin ndërmjet personave që dinë të notojnë a jo. Një nga sfidat që ne përballemi çdo ditë është dhe ajo e mosbindjes së pushuesve, pasi neve si shqiptarë na pëlqen edhe t’i thyejmë rregullat dhe të mos e respektojmë vrojtuesin e plazhit. Tek pasi ndodhin fatkeqësitë, ne kujtohemi për detyrën e vrojtuesit të plazhit dhe sa i rëndësishëm është ai në stacionin e plazhit.

Z. Sula, cilat janë kriteret për të përcaktuar gjendjen e një plazhi?

Kriteret e përcaktuara për funksionimin e një stacioni të plazhit janë të përcaktuara nga VKM-ja 171. Aty specifikohen detyrimet që ka një stacion plazhi për të funksionuar si duhet.

Cilat janë rreziqet më të zakonshme dhe problemet që hasni gjatë punës suaj në plazh?

Çdo ditë në punën tonë ne përballemi me situata të ndryshme, që nga humbjet e fëmijëve e deri te rastet e mbytjeve. Por më të zakonshmet janë rastet e humbjes së fëmijëve dhe për këtë ne kemi grupin në WhatsApp në çdo plazh të Shqipërisë ku komunikojnë me vrojtuesit dhe bëhet e mundur gjetja e tyre.

Për fund një këshillë për të gjithë pushuesit e bregdetit shqiptar?

Këshilla ime për pushuesit e bregdetit shqiptar është të respektojnë udhëzimet dhe këshillat e vrojtuesve të plazhit, që ta kenë jetën të sigurt dhe të zgjedhin stacionet e plazhit që kanë vrojtues të plazhit, pasi është lehtësisht i dalluar me uniformë të kuqe. Përfitoni maksimumin nga pushimet tuaja në bregdet, por mos harroni të jeni të kujdesshëm, duke respektuar rregullat e sigurisë detare! Kujdesuni për veten dhe për të tjerët dhe kalojini pushimet tuaja në mënyrë të përgjegjshme!

/Motilokal.com