Ministria e Mjedisit pezullon pëlqimin mjedisor për ndërtimin e inceneratorit në Ferizaj

Ministria e Mjedisit pezullon pëlqimin mjedisor për ndërtimin e inceneratorit në Ferizaj

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar të sot se kanë pezulluar pëlqimin mjedisor për ndërtimin e një inceneratori për trajtimin e mbeturinave në qytetin e Ferizajt.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se ministria që drejton në dhjetor të vitit të kaluar i kishte lëshuar pëlqimin mjedisor një kompanie për incenerator në Varosh të Ferizajt, që nënkupton djegien e rreth 100 mijë ton mbeturinave në vit.

Sipas tij, kjo është bërë pa i përfillur ligjet dhe pa konsultim me ekspertë të ambientit.

“Në maj befas na vjen një kompani dhe thotë kemi marrë pëlqim nga ju për trajtim termik të mbeturinave dhe po ashtu kemi marrë leje ndërtimore në Komunën e Ferizajt për të ndërtuar një gjenerator. Kam kuptuar që në dhjetorin e vitit që shkoi ka pasur të lëshuar pëlqim mjedisor për incenerator në Varosh të Ferizajt, që nënkupton djegien e rreth 100 mijë ton mbeturinave në vit”, ka deklaruar ministri Aliu.

Aliu tha se për këtë projekt, dyshon që ka interesa nga dikush, derisa shtoi se është projekt i madh dhe ka interesa. Ai theksoi se nuk e di kush ka dhënë pëlqimin.

“Është projekt i madh dhe normalisht ka interesa, kush e ka dhënë pëlqimin nuk e dimë me emra. Si është bërë dhënia e lejes, pra këto shkelje më kanë interesuar mua. Kur ka ndodh kjo, pra ka ndodh në kohën sa unë kam qenë ministër dhe unë po dal po e denoncoj. Me emra, nuk e di kush e ka nënshkruar, nuk e di as kush e ka dhënë emrat nga autoritetet komunale”, tha tutje ministri.

“Duke njohur gjeografinë e vendit e di që është vështirë me gjet një lokacion të tillë në vendin tonë, i cili nuk ka me pasur ndikim te qytetarët. Pas vizitës në terren dhe takimet me qytetarët, e kemi kuptuar se askush nga qytetarët nuk e ka ditur se aty planifikohet të ndërtohet një gjenerator. E kemi shqyrtuar edhe raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis. Aty thuhet se objekti është 3 mijë metra larg vendbanimeve gjë që ishte e pamundur pasi janë më pak se 700 metra”, u shpreh ministri Aliu.

Ndërsa, zëvendësministri Avni Zogiani, deklaroi gjatë kësaj konference se procesi i lëshimit të lejeve është përcjell në vazhdimësi me skandale.

“Procesi i lejeve, pëlqimeve, qoftë ambientale apo ndërtimore ka qenë problematik dhe është përcjell me skandale e edhe me burgosje. Duke nisur nga kjo, ne kemi kohë që punojmë në një reformim të tërë sistemit, por ka qenë e vështirë të merret vendim për ndryshime masovike, pasi bëhet fjalë për komisione. Kemi vënë re se kurdoherë që ka në horizont një projekt që ka interesa të mëdha, kemi më pak transparencë se në situata kur qytetarët ngritin një problematikë”, u shpreh Zogiani.

Ai bëri thirrje edhe për reformim në Komisione.

“Kemi kërkuar nga sekretari që t’i shkarkojë dy Komisione, atë për pëlqimin e lejeve dhe për mbeturina”, tha Zogiani.

/Motilokal.com