Vlora, aty ky bashkohet Joni me Adriatikun/ FOTO

Vlora, aty ky bashkohet Joni me Adriatikun/ FOTO

Udhëtimi në Rivierën shqiptare nis nga Vlora, pikëtakimin e detit Adriatik dhe Jon, e njëherësh një nga qytetet bregdetare më të mëdha të Shqipërisë. Këtu u shpall Pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912, e sot Sheshi i Flamurit vizitohet çdo vit nga qindra mijëra shqiptarë dhe të huaj, me festimet që kulmojnë në fund të nëntorit.

Përtej historisë, Vlora është ‘shtëpia’ e disa prej plazheve më të bukur të jugut, si dhe plot vendeve të tjera sugjestive si Zvërneci, Gadishulli i Karaburunit, Laguna e Nartës apo ishulli i Sazanit, kalaja e Kaninës dhe plotë vende të bukura.

Çka mund të vizitoni në Vlorë?

Një ndalesë në fshatin e bukur “Vajze”, dhe për të vizituar shpellat e “Vajzës”. Një ndalesë për të vizituar Parkun Arkeologjik Plloçë, në Amantia.

Një vizitë në fshatin e Bratajt, për të parë urën e lashtë të Bratajt. Kush ka vetura fuoristrada mund të vazhdojë në Buronjat e Kuçit ku mund të sodisë natyrën e magjishme dhe burimet e ujit të ftohtë ku rritet trofta dhe ku mund ta konsumojë në të paktat gjellëtore lokale.

Një vizitë ne Kalanë e Kaninës, ku diapazoni i pamjes së gjerë nuk njeh limit dhe do t’ju japë mundësi të fotografoni nga Selenica, Babica dhe Narta deri ne Karaburun. Më pas një kafe në kafenenë e fshatit ku përveç detit sodisni dhe plantacionet mbushur me ullinjtë Kalinjotë, ndër kultivarët më të mirët shqiptar.

Vizitë në Parkun Natyror të Lagunës së Nartës ku mund të sodisni veçantinë e kriporeve të Nartës dhe po patët fat dhe fotografoni flamingot e zonës

Vizitë në Manastirin e Murgjëve të Zvërnecit dhe hiking ose shëtitje me biçikleta në “kurrizin” e kodrave pas Manastirit ku shihni pamje mbresëlënëse për fotografët dhe jo vetëm.

Alpinizëm nga Tragjasi i Ri ne Tragjas të Vjetër ku përveç rrënojave prej gurit të shtëpive të fshatit të Vjetër mund të prenotoni dhe të hani ne restorantin më organik të zonës, atë të Sofos (byrekë, djathë të njomë, lakrame të egra, mish qengji dhe keci). Pamje dhe ajër i pastër.

Vizitë në lagjen më të vjetër të qytetit të Vlorës, Lagjes Muradie, e cila sapo është restauruar.

Sikur të mos mjaftonte deti spektakolar, duke ngjitur Llogaranë do mund të shijoni ajrin e freskët të malit nën praninë e kuzhinës tradicionale të plot restoranteve të shijshme. Plazhe të virgjëra, kala, kisha e xhami të vjetra, panorama malesh të larta prej nga mund të shihet pafundësia e detit, të duket sikur Vlora ka vërtet gjithçka që dikush mund të kërkojë!

Bregu i Lungomares në qytetin e Vlorës, të ofron një pamje spektakolare, sidomos në netët e verës, ku perëndimi i diellit të mahnit me pamjen e tij. Aty ku bashkohet deti Adriatik me detin Jon është një magji për këdo që e shikon nga afër magjinë e qiellit.

Lungomare e konceptuar si një hapësirë ku alternohen tre lloje lëvizjesh, ajo me automjete, me biçikleta, si dhe pedonalja, krijon mundësi që gjithkush të gjejë vetveten, në varësi të dëshirave, duke u dhënë përparësi këmbësorëve.

Një qytet me atraksione të shumta kulturore dhe historike, me detin e saj të mrekullueshëm të fton të kaloni momente të papërsëritshme relaksi dhe qetësie.

Bukuria e detit të Vlorës ka bërë që turizmi të zhvillohet më tepër pranë brigjeve, ku ekzistojnë një sërë mundësish për zgjedhje si në hotele ashtu edhe në restorante, bare etj. Përveç hoteleve Vlora ofron për pushuesit edhe shtëpi pushimi familjare në kushte shumë të mira.


Krahas brigjeve dhe gjireve Vlora njihet edhe për shpellat e shumta, të cilat janë vizituar nga udhëtarë të shumtë.

Ky qytet karakterizohet për një klimë mesdhetare, ku ndërthuret klima malore me atë detare. Ditët e verës në Vlorë nuk karakterizohen nga vapa e padurueshme si pasojë e ndikimit të detit në klimë. Temperatura mesatare për muajin korrik (muaji më i nxehtë) arrin në 34 gradë.

/Motilokal.com