‘Çmendet’ moti, Kili dhe Argjentina po përballen me valën e nxehtë në mes të dimrit

‘Çmendet’ moti, Kili dhe Argjentina po përballen me valën e nxehtë në mes të dimrit

Ndryshimet klimatike e kanë bërë motin krejtësisht “të çmendur” dhe në Argjentinë e Kili, ku termometri ka shënuar deri në 37 gradë Celsius në mes të dimrit.

Dy shtetet e Amerikës Latine shënuan rekorde të nxehtësisë në fillim të gushtit për shkak të një kombinimi të fenomenit “El Nino” dhe ndryshimeve klimatike, ndërsa vendet e tjera të kontinentit gjithashtu regjistruan temperatura më të ngrohta se normalet.

Në qytetin kilian të Vicuna, i vendosur në një rajon malor të provincës qendrore të Coquimbo, termometri të martën tregoi 37 gradë Celsius. Kjo është temperatura më e lartë që është regjistruar në rajon në këtë periudhë që nga viti 1951 dhe sigurisht rekordi është për shkak të ndryshimeve klimatike.

“Ne nuk kemi regjistruar një temperaturë të tillë prej më shumë se 70 vitesh”, tha Cristóbal Torres nga shërbimi meteorologjik kilian.

Në Santiago, 450 kilometra më në jug, temperatura ditën e djeshme arriti në 24 gradë celsius.

Në Buenos Aires, në Argjentinën fqinje, temperatura arriti në 30 gradë celsius të martën, duke shënuar 1 gushtin më të nxehtë në histori, sipas shërbimit kombëtar të motit.

Rekordi i mëparshëm i nxehtësisë për këtë ditë daton në vitin 1942 me 24.6 gradë celsius, teksa temperatura normale gjatë gushtit në Buenos Aires varion ndërmjet 9 dhe 18 gradë celsius.

Përveç Argjentinës dhe Kilit, ndryshimet klimatike kanë goditur edhe vende të tjera të rajonit, si Uruguai, ku temperatura në shumë qytete kaloi dje 30 gradë.

/Motilokal.com