Agjencia Pyjore e Kosovës (APK) përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se zjarret rrezikojnë jo vetëm pasurinë tonë, por edhe jetët e qytetarëve, duke theksuar se ato shkatërrojnë thellësisht pyjet, duke i lënë ato të varfra.
Në këtë njoftim thuhet se ndikimi negativ në mjedis është i pandërprerë, duke shkaktuar ndryshime të mëdha klimatike dhe shkatërruar habitate të shumta.
APK thekson se dëmet ekonomike janë të mëdha, duke ndikuar në industrinë e bujqësisë, turizmin dhe bizneset vendore.
Agjencia Pyjore e Kosovës apelon që të raportoni çdo shenjë të mundshme të zjarrit dhe veproni menjëherë për të shuar zjarrin në fazën e hershme.
“Bashkëpunimi me autoritetet lokale dhe ekipet e zjarrfikësve është jetik për të mbrojtur natyrën tone. Telefononi në çdo kohë në numrat: 112, 192 dhe 193”, thuhet në njoftim.
APK thotë se zjarrvënia është një vepër penale dhe për çdo rast do të ketë denoncime dhe ndëshkim maksimal për individët e papërgjegjshëm, shkaktarë të zjarreve në pyje.
“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për veprimet tona dhe të ruajmë me kujdes trashëgiminë e natyrës sonë për brezat e ardhshëm”, apelon APK.
/Motilokal.com
