Korriku 2023 më i nxehtë në historinë e botës

Korriku 2023 më i nxehtë në historinë e botës

Botë

Korriku i vitit 2023 ishte jashtëzakonisht i ngrohtë për disa rajone në mbarë botën, duke thyer qindra rekorde të temperaturës. Ai u regjistrua si korriku më i ngrohtë që nga viti 1979 në mbarë botën. Korriku më i ngrohtë deri vonë në botë ishte ai i vitit 2019 me një devijim prej 0.39 °C mbi mesataren e periudhës 1991-2020. Korriku 2023 theu këtë rekord me një diferencë shumë të madhe (pothuajse dyfishi i diferencës), duke regjistruar temperaturën prej 0.72 ° C mbi nivelet 1991-2020.

Është muaji i dytë radhazi pas qershorit 2023 që regjistrohet si më i ngrohti i regjistruar në botë për vitin 2023.

Evropë

Temperatura mesatare e korrikut 2023 në Evropë u luhat me 0.38°C mbi nivelet e periudhës 1991-2020, ndërsa globalisht me 0.72°C mbi nivelet e periudhës 1991-2020. Devijimet më të mëdha pozitive të temperaturës u regjistruan në zonat e Evropës Jugore dhe kryesisht në zonat e Mesdheut, ku mbizotëroi vala e nxehtësisë më e gjatë e disa viteve të fundit, duke thyer rekorde historike të temperaturës në shumë vende të Mesdheut.

Ballkani

Temperaturat shumë të larta (në nivele rekord) dhe me një kohëzgjatje të gjatë mbizotëruan në korrik 2023 pothuajse në pjesën më të madhe të Ballkanit. Krahas temperaturave shumë të larta, ka mbizotëruar edhe thatësira me reshje të shiut nën nivelet normale.

/Motilokal.com