Fluturimi i parë komercial: Virgin Galactic dërgoi me sukses turistët e parë në hapësirë

Fluturimi i parë komercial: Virgin Galactic dërgoi me sukses turistët e parë në hapësirë

VSS Unity i Virgin Galactic, aeroplani hapësinor i ripërdorshëm me fuqi raketash që transporton ekuipazhin e turistëve të kompanisë në hapësirë, u nis me sukses dhe u ul të enjten.

Misioni, i njohur si Galactic 02, u ngrit pak pas orës 11:00 të mëngjesit nga Spaceport America në New Mexico.

Gjithsej gjashtë persona ishin në bordin e anijes kozmike, komandanti i aeroplanit hapësinor dhe ish-astronauti i NASA-s CJ Sturckow, piloti Kelly Latimer, si dhe Beth Moses, kryeinstruktorja e astronautëve të Virgin Galactic që stërviti ekuipazhin para fluturimit.

Anija kozmike mbante gjithashtu tre pasagjerë privatë, duke përfshirë trajnerin e shëndetit dhe mirëqenies Keisha Schahaff dhe vajzën e saj 18-vjeçare Anastasia Mayers.

Sipas Space.com, Schahaff fitoi vendin e saj në anijen kozmike Galactic 02 si pjesë e një konkursi për mbledhjen e fondeve nga Space for Humanity, një organizatë jofitimprurëse që dëshiron të demokratizojë udhëtimin në hapësirë. Mayers studion filozofi dhe fizikë në Universitetin e Aberdeen në Skoci. Së bashku, Schahaff dhe Mayers janë dyshja e parë nënë-bijë që udhëtuan së bashku në hapësirë.

“Kur isha dy vjeç, thjesht shikoja qiellin dhe mendoja: “Si të arrij atje? Por duke qenë nga Karaibet, nuk e kuptoja se si ishte e mundur një gjë e tillë. Fakti që jam këtu, tregon se hapësira me të vërtetë po bëhet më e aksesueshme", tha Schahaff.

Ky mision është edhe vendi ku numri më i madh i grave kanë arritur në hapësirë.

Meqë ra fjala, biletat për këtë fluturim hapësinor varionin nga 250,000 deri në 450,000 dollarë. Galactic 03, fluturimi i tretë komercial i kompanisë në hapësirë, është planifikuar për në shtator.


/Motilokal.com