Thuaj jo qeseve plastike! Ministri Aliu tregon se kur fillon zbatimi i Udhëzimit Administrativ

Thuaj jo qeseve plastike! Ministri Aliu tregon se kur fillon zbatimi i Udhëzimit Administrativ

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se do të fillojë së shpejti zbatimi i Udhëzimit Administrativ për Ambalazhin dhe Mbeturinat e Ambalazhit.

E gjitha kjo po bëhet për të pasur një ambient më të pastër dhe për të mos përdorur qese të plastikës.

“Përmes këtij Udhëzimi do të përcaktohen kushtet, procedurat, përgjegjësitë dhe detyrimet për prodhuesit, importuesit, shitësit dhe palët e tjera të përfshira, për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e produkteve të ambalazhuara”, theksoi Aliu.

Ky është njoftimi i plotë i tij:

Tashmë në Mbledhjen e Qeverisë, kemi Miratuar Udhëzimin Administrativ për Ambalazhin dhe Mbeturinat e Ambalazhit, për ti hapur udhë procedurave tjera të radhës.

Përmes këtij Udhëzimi do të përcaktohen kushtet, procedurat, përgjegjësitë dhe detyrimet për prodhuesit, importuesit, shitësit dhe palët e tjera të përfshira, për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e produkteve të ambalazhuara.

Synimi është që të ndikojmë në mbrojtjen e shëndetit dhe promovimin e një mjedisi të qëndrueshëm e të pastër për të ardhmen tonë dhe për brezat e ardhshëm.

Ky Udhëzim Administrativ hyn në fuqi shtatë (7) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Masat fillojnë të zbatohet një (1) muaj pas hyrjes në fuqi të Udhëzimit Administrativ.


/Motilokal.com