Thellohet bilanci nga zjarret në Hawaii

Thellohet bilanci nga zjarret në Hawaii

Është rritur në 106 numri i personave që kanë humbur jetën nga zjarret pyjore në Hawaii të SHBA-së, transmeton Anadolu.

Zyrtarët e administratës rajonale në Maui kanë bërë të ditur se kanë përfunduar punimet e kërkimit në 32 për qind të zonës së prekur nga zjarret dhe kanë ndarë detaje për opinionin publik lidhur me personat që kanë humbur jetën.

Zyrtarët kanë konfirmuar se është rritur në 106 numri i personave që kanë humbur jetën për shkak të zjarreve pyjore që vazhdojnë në Ishullin e Madh (Big Island) dhe ishullin Maui, ku është djegur edhe qyteza historike Lahaina. Po ashtu zyrtarët informuan se kanë filluar punimet për identifikim në Maui.

Ata gjithashtu informuan se krahas Robert Dyckman dhe Buddy Jantoc, banorë të Lahaina, kanë identifikuar edhe tre persona të tjerë që kanë humbur jetën.

Jonathan Greene nga Departamenti amerikan i Shëndetësisë, deklaroi se për identifikimin e personave që kanë humbur jetën në zjarre, krahas një ekipi të përbërë nga mjekë ligjorë, patologë dhe teknikë, në rajon janë dërguar edhe njësi ekzaminimi, njësi të radiografisë si dhe pajisje të tjera.

Pasi bëri të ditur se identifikimi do të zgjasë shumë për shkak se kanë humbur jetën shumë persona dhe se në këtë çështje duhet të jenë të durueshëm, Greene u shpreh: "Kjo do të jetë një detyrë shumë, shumë e vështirë".

"Ekipet e kërkim-shpëtimit mund të gjejnë rreth 10 deri në 20 trupa në ditë"

Guvernatori i Hawaii-t, Josh Green, tha se ekipet e kërkim-shpëtimit në rajon "mund të gjejnë rreth 10 deri në 20 trupa në ditë gjatë punimeve që vazhdojnë në rajon" dhe se mund të duhen 10 ditë për të përcaktuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve.

Duke theksuar se po kërkohen ende 1.300 persona, vendndodhja e të cilëve nuk është përcaktuar për shkak të zjarreve, Green tha se për personat që kanë humbur shtëpitë janë përgatitur rreth 2 mijë banesa duke përfshirë edhe 402 dhoma hoteli.

"Zjarret në Hawaii, zjarret pyjore ku janë shënuar më shumë viktima në 100 vitet e fundit në vend

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, vuri në dukje se zjarret në Hawaii, janë "zjarret pyjore më vdekjeprurëse prej më shumë se një shekulli" dhe se në kohën më të shpejtë më të mundshme do të vizitojë rajonin.

Biden njoftoi se ndaj njerëzve që janë zhvendosur për shkak të zjarreve do të paguhen 700 dollarë për familje për një herë të vetme dhe më tej ai foli për punimet e kryera nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) për të prekurit.

/Motilokal.com