Së shpejti fabrika në orbitën e Tokës

Së shpejti fabrika në orbitën e Tokës

Një fermë në hapësirë mund të tingëllojë si një skenar fantashkencë, por tashmë është një fakt, në një shkallë shumë të vogël.

Ky është një treg i ri që analistët dhe disa startup parashikojnë se do të fillojë.

“Për sa i përket produkteve farmaceutike, gjysmëpërçuesve, produkteve të bukurisë dhe shëndetit, potencialisht ushqimit, në kuptimin e kulturave të reja, ne vlerësojmë se tregu do të kalojë 10 miliardë dollarë diku në vitin 2030”, tha për CNBC Ilan Rosenkopf, një partner në firmën konsulent McKinsey.

Hapësira ofron një mjedis unik për kërkime dhe zhvillim, sepse nivelet më të larta të rrezatimit, mikrogravitetit dhe vakuumit i lejojnë kompanitë të shpikin metoda ose materiale të reja prodhimi në mënyra që do të ishin të pamundura në Tokë.

Kjo praktikë nuk është krejtësisht e re. Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës ka zhvilluar disa eksperimente nga akademikë, agjenci qeveritare dhe kompani, me qëllim rritjen e indeve njerëzore, prodhimin e gjysmëpërçuesve më të pastër dhe zhvillimin e barnave të reja ose më të mira. Në buxhetin e vitit 2024, Presidenti Joe Biden ndau 5 milionë dollarë shtesë për NASA-n për të vazhduar kërkimin e kancerit në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS).

Megjithatë, aksesi në ISS është i pamundur për shumicën e palëve të interesuara ndërkohë që kërkesa është në rritje. Tani, disa startup shohin një mundësi për të përmbushur kërkesën duke krijuar fabrika të vogla të bazuara në hapësirë.

Ilaçe më të mira “nga parajsa”

Një prej tyre është Varda Space Industries në Kaliforninë Jugore. Misioni i Varda është të ndihmojë kompanitë farmaceutike të përmirësojnë barnat e tyre ose të krijojnë trajtime të reja duke shfrytëzuar vetitë unike të Hapësirës dhe më pas t’i dërgojnë formulimet përsëri në Tokë.

“Çelësi” i propozimit të biznesit të Vardës është një fenomen i njohur si kristalizimi i proteinave. Kjo ndodh kur tretësirat e mbingopura të proteinave në thelb avullohen për të formuar një të ngurtë në mënyrë që shkencëtarët të mund të studiojnë strukturën e një proteine.

Analizimi i strukturës kristalore të një proteine mund t’i ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë më mirë mekanizmat e sëmundjeve, të identifikojnë “objektivat” e barnave dhe të optimizojnë dizajnin e ilaçeve: ilaçe me më pak efekte anësore, më efektive dhe më të qëndrueshme.

Vitet e kërkimeve kanë vërtetuar se kristalet e proteinave të rritura në hapësirë janë të cilësisë shumë më të mirë se ato të rritura në Tokë. Qëllimi nuk është të zhvillohet një ilaç i tërë në hapësirë, por vetëm substanca aktive që siguron efektet terapeutike.

“Ne nuk do të bëjmë penicilinë ose ibuprofen që është shumë përtej aftësive tona aktuale”, pranon Delian Asparukhov, bashkëthemelues dhe president i Varda Space Industries.

Në anën tjetër të Atlantikut, në Cardiff, Uells, Space Forge po projekton fabrikën e saj hapësinore për të prodhuar gjysmëpërçues të gjeneratës së ardhshme. Qëllimi i Space Forge është të prodhojë nënshtresa gjysmëpërçuese, duke zëvendësuar silikonin me materiale të tjera, për të bërë çipa më efikas dhe me performancë më të lartë.

“Materialet e gjeneratës së ardhshme do të na lejojnë të arrijmë efikasitet që nuk i kemi parë kurrë më parë”, tha Andrew Parlock, shef i Space Forge në SHBA. “Po flasim për përmirësimin e performancës së gjysmëpërçuesve me një faktor dhjetë apo edhe njëqind”.

Ashtu si me farmaceutikët, “sekret” pas përmirësimit të performancës në gjysmëpërçuesit qëndron në krijimin e kristaleve perfekte në hapësirë. Këto lloj çipash të avancuar janë të rëndësishëm për teknologjinë 5G dhe automjetet elektrike.

Ashtu si Varda, Space Forge planifikon të prodhojë vetëm një pjesë të çipave në hapësirë.

“Sapo t’i krijojmë këto kristale në hapësirë, ne mund t’i kthejmë ato në tokë dhe të përsërisim në mënyrë efektive procesin e prodhimit në Tokë”, shpjegoi Josh Western, bashkëthemelues i Space Forge.


/Motilokal.com