Si mbeti e paprekur shtëpia në Hawaii mes zjarreve shkatërruese?!

Si mbeti e paprekur shtëpia në Hawaii mes zjarreve shkatërruese?!

Janë bërë virale fotot e një shtëpie të vetme me çati të kuqe që duket praktikisht e padëmtuar pasi lagja përreth saj është kthyer në grumbuj hiri dhe rrënojash nga zjarret e Maui.

Shtëpia 100-vjeçare prej druri në Front Street është ende në këmbë pasi pjesa më e madhe e qytetit të Lahaina është shkatërruar. E vetmja pyetje që duket se u ka mbetur pronarëve të saj është se: çfarë e kurseu atë?

Nga fotot, "duket sikur është bërë me fotoshop", tha pronari Trip Millikin. Përpjekjet e kërkimit dhe rikuperimit janë ende në vazhdim në Maui, me 114 viktima të konfirmuara deri më tani.

Zyrtarët thonë se rreth 850 persona janë të zhdukur, por mbi 1200 persona që ishin në listë janë gjetur dhe janë të sigurt. Zjarret shkatërruan pjesën më të madhe të qytetit historik Maui të Lahaina. Zjarret  konsiderohen si fatkeqësia më e madhe natyrore në historinë e shtetit të Hawait. Presidenti, Joe Biden mbërriti në Hawaii të hënën për të parë nga afër shkatërrimet.

Pronarët e shtëpisë me çati të kuqe ishin në një udhëtim në Massachusetts kur dëgjuan lajmin për zjarrin. Millikin dhe gruaja e tij mësuan se e gjithë lagjja e tyre ishte përfshirë nga flakët dhe sipas gjasave edhe shtëpia e tyre do të digjej.

Por të nesërmen në mëngjes, pamjet ajrore treguan se shtëpia e tyre ishte e paprekur.

"Ne filluam të qanim", tha ai. "U ndjeva fajtor. Ne ende ndihemi fajtorë."

Millikin dhe gruaja e tij thanë se nuk ishin të sigurt se çfarë e shpëtoi shtëpinë e tyre. Dy vite më parë, çifti e bleu pronën 100-vjeçare që dikur ishte shtëpia e kontabilistëve për punonjësit e një plantacioni sheqeri.

Millikin dhe gruaja e tij thanë se shtëpia ishte në gjendje të keqe, dhe në këto kushte kërkuan ta restauronin atë. Mund të kenë qenë ky rinovim që e ka shpëtuar shtëpinë, tha çifti për mediat amerikane.

Ata e ndërruan çatinë prej asfalti të shtëpisë me një me metal të rëndë, dhe e rrethuan shtëpinë me gurë lumi pasi hoqën gjërat rreth saj. Por asnjë nga këto veprime nuk kishte për qëllim të ndalonte një flakë, thanë ata.

"Është një shtëpi 100% prej druri, kështu që nuk është se e kemi rinovuar për kundër zjarrit apo ndonjë gjëje tjetër", theksoi Atwater Millikin për Los Angeles Time.

"Nëse do të ishte një çati asfalti, do të merrte flakë. Copat do të binin nga çatia dhe pastaj do të ndiznin gjethet përreth shtëpisë", thotë ajo.

Ajo shtoi se distanca e shtëpisë nga fqinjët e saj mund të ketë shërbyer gjithashtu si një jastëk.

Çifti thonë se shpreson të kthehen në Lahaina kur të jetë e sigurt, dhe kur ta bëjnë, ata planifikojnë që ta ofrojnë shtëpinë e tyre për shumë që kanë humbur banesat e tyre.

"Shumë njerëz kanë vdekur", tha zonja Atwater Millikin. "Shumë njerëz kanë humbur gjithçka, dhe ne duhet të kujdesemi për njëri- tjetrin dhe të rindërtojmë qytetin. Të gjithë duhet të ndihmojnë për rindërtimin."

/Motilokal.com