Valbona, magjike në çdo stinë

Valbona, magjike në çdo stinë

Valbona nuk është thjesht një destinacion natyror i Shqipërisë, ajo është një kompleksitet dukurish interesante, si e gjithë pjesa tjetër e Alpeve Shqiptare, që ngërthen bashkë të gjitha kuptimet e së bukurës. Valbona u tregon udhëtarëve madhështinë e saj përmes maleve hijerënda, thellësinë e saj përmes pyjeve e humnerave, pastërtinë e saj përmes ujit të kristaltë ku vallëzojnë troftat e arta, mikpritjen e saj përmes njerëzve të mrekullueshëm që ka, bukurinë e saj përmes veshjeve shumëngjyrëshe të zonës. Çfarëdo faqeje që t’ju tregojë Valbona, është një sinonim i së bukurës. Edhe rruga për në Valbonë është një vrapim i bukur mes malesh e ujërash.


Valbona ndodhet në pjesën më veriore të vendit, në lindje të masivit malor të Alpeve Shqiptare, në rrethin e Tropojës. Lugina nis nga Qafa e Valbonës në perëndim dhe përfundon në luginën e Drinit në jugperëndim, pranë digës së hidrocentralit të Fierzës. Gjatësia e saj nga Qafa e Valbonës deri në lumin Drin është 50.6 km. Valbona ndodhet 25 km larg Bajram Currit dhe për të shkuar drejt saj duhet të kalosh më parë nëpërmjet Kanionit të Shoshanit, Grykës së Klisyrës, Grykës së Dragobisë e Qukut të Dunishës. Nga hyrja në kanionin e Shoshanit e deri në Valbonë, udhëtimi kalon nëpërmjet një lugine të ngushte, ku në të dyja anët e saj ka shpate shkëmbore dhe pyje me ah e bredh, ndërsa rruga është e paasfaltuar.


Valbona, është një nga udhëtimet që nuk duhet humbur, si dhe një nga vendet që duhet vizituar patjetër. Lumë dhe fshat. Një mrekulli që Zoti na ka dhuruar, përjetimi i së cilës të thërret që të rikthehesh.

/Motilokal.com