Mos i digjni hamulloret! Kjo është shuma që mund të dënoheni

Mos i digjni hamulloret! Kjo është shuma që mund të dënoheni

Drejtoria për Bujqësi Pylltari dhe Zhvillim Rural në Komunën e Drenasit përmes një njoftimi ka apeluar për mos djegien e hamulloreve pas korrjes së grurit. Po ashtu apelohet që të mos ndizen zjarre afër apo në pyje.

Postimi i plotë: 

Ku pas korrjes së grurit disa fermerë praktikojnë t’i djegin hamulloret (stërnishtat). Përmes djegies së hamulloreve mund të shkaktoni dëme në shtëpi, objekte të ndryshme e kultura të ndryshme, pyje dhe toka pyjore duke shkaktuar dëme të mëdha dhe shpesh të pakthyeshme, siç kanë të bëjnë ato me dëme materiale dhe ndotjen e mjedisit përmes rritjes së dioksidit të karbonit në atmosferë.

Për shkak të temperaturave të larta është nevojshme shtimi i vigjilencës dhe marrja e masave paraprake për ndalimin e ndezjes së hamulloreve në mënyrë që të pengoni shkaktimin e dëmeve për jetën e njeriut, objekte banimi, pyje dhe toka pyjore, etj.

Në parcelat në të cilat nuk ekzistojnë mundësitë për ujitje, duhet të merren masa në përkufizimin e parcelës, sidomos të tokave bujqësore që kufizohen me pyje dhe pranë tyre duke bërë lërim me brazda në 2-4 rende në mënyrë që të pengohet përhapja e zjarrit në vendbanime dhe tokat përreth.

Të njëjtat parcela pas të korrave të grurit, kërkohet të merren masat agroteknike për lërimin e cektë të tyre duke krijuar kushte për dekompozimin e mbetjeve nga të korrat, e cila preferohet sidomos të zbatohet pranë vendbanimeve, pyjeve dhe tokave pyjore. Lërimi i cektë ndihmon në përmirësimin e strukturës të tokës dhe rritjen e plleshmërisë të saj.

Djegia e hamulloreve dhe mbetjeve pas korrjeve (kashta) paraqet një potencial dhe kërcënim të madh të objekteve të banimit, bizneseve, pemishteve, pyjeve dhe tokave pyjore.

Po ashtu, si pasojë e djegies së hamulloreve vjen deri tek shkatërrimi i florës dhe faunës që për habitat të tyre kanë tokat bujqësore dhe pyjore.

Këshilla për fermerë lavërtarë

Në parcela me mundësi ujitje të fillohet me lërimin e tyre dhe fitoni dy të korrura brenda vitit nga e njëjta sipërfaqe.

Kjo mundësohet sidomos pas korrjes së grurit ku mund të mbjellim kultura tjera, si: misër foragjer me vegjetacion të hershëm për silazh, perime, lakra, preshë, etj,

Mbjellja e kulturës së dytë shërben edhe për qarkullim bimor që ndikon në marrjen e rendimenteve më të larta të kulturave pasardhëse, zvogëlimin e barojave, uljen e ndikimit të sëmundjeve dhe dëmtuesve dhe pasurimin me materie ushqyese.

Këshilla për pronarët e pyjeve dhe tokave pyjore

Të ndërmarrin masa preventive përmes shtimit të vigjilencës në vrojtimin, patrullimin në pronat e tyre, sidomos në rastet e shtrirjes së pyjeve në afërsi të tokave bujqësore. Gjithashtu, kërkohet që në rast zjarri në tokat bujqësore të ndërmerren hapa për shuarjen e tyre, njoftimin e institucioneve përkatëse emergjente dhe ofrimin e bashkëpunimit: Njësive të zjarrfikësve, Policinë, Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe institucioneve tjera, si: Komuna, Autoritet Pyjore Komunale, Drejtoritë Koordinuese të Agjencisë Pyjore të Kosovës, Drejtoritë e Parkut Kombëtar, Ministrinë përkatëse.

Në parcelat pyjore si masë preventive këshillohet të ndërmerren masat e kultivimit të pyjeve përmes krasitjes dhe pastrimit nga degët e thata të drunjve, rrallimeve në kohën e duhur të grumbujve pyjor, hapja dhe mirëmbajtja e shtigjeve, rrugëve pyjore, hapja e brezave kundër zjarrit, pastrimin buzë rrugëve publike, hekurudhave, shtrirjes së korridoreve të largpërçuesve, mirëmbajtjen dhe rregullimin e burimeve ujore, rrjedhave ujore, krijimin e rezervuarve ujor në zonat e thata, etj.

Në zonat ku është i zhvilluar turizmi të ndërmerren masa në përcaktimin e vendeve për ndezje të zjarreve, vendosjen e shenjave paralajmëruese për rrezikun e zjarreve, ofrimin e kushteve dhe ujit për shuarje të zjarreve në vendet e përcaktuarat, etj.

Kujdes!

Ligji për Tokën Bujqësore Nr. 02/L-26, Nenin 39, Paragrafi 1, Pika D – Inspektori është i autorizuar dhe ka për detyrë të inspektoj përveç pikave tjera edhe “zbatimin e masave për mbrojtjen nga zjarri në rastet e djegieve të hamulloreve nga shfrytëzuesi apo pronari i tokës bujqësore”.

Ligji mbi Pyjet Nr. 03/2003 sanksionon çfarëdo forme të ndezjes së zjarreve në pyje dhe toka pyjore, përveç nëse realizohet me leje paraprake nga Agjencia e Pyjeve. Ndërsa, në rastet e moszbatimit të dispozitave të këtij Ligji me Nenin 36 Paragrafi 36.2 Pika C thuhet: “Çdo person mund të dënohet deri në 15,000.00 euro”.

/Motilokal.com