Kosova po merr pjesë në Asamblenë e Fondit Global të Mjedisit në Kanada

Kosova po merr pjesë në Asamblenë e Fondit Global të Mjedisit në Kanada

Ministri i Infrastrukturës, Liburan Aliu ka bërë të ditur se së bashku më Ambasadorin e Kosovës në Kanada, Adriatik Kryeziu janë duke marrë pjesë në Asamblenë e Shtatë të GEF.

“Bashkë me Ambasadorin e Kosovës në Kanada, Adriatik Kryeziu, si dhe me përfaqësues nga kabineti, jemi duke marrë pjesë në Asamblenë e Shtatë të GEF, njëherit Fondit më të madh Multilateral për Mjedis, kështu për të lobuar qasjen në këtë fond, me fokus të veçantë përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe ruajtjen e biodiversitetit. Në ndërkohë, jemi duke zhvilluar takime të shumta bilaterale me homologë e partnerë për të diskutuar projektet tona konkrete dhe bashkëpunimin ndërshtetëror”, ka shkruar Aliu.

Ndërsa në kuadër të pjesëmarrjes në (GEF), zhvilloi takim me Ministrin e Zhvillimit Ndërkombëtar të Kanadasë, Ahmed Hussen.

“Vlerësuam pozitivisht bashkëpunimin e ngushtë në mes dy vendeve tona, dhe theksuam se mundësitë e thellimit të bashkëpunimit janë të jashtëzakonshme. Ministrit ia shpreha mirënjohjen time dhe të shtetit e popullit tonë për ndihmën, përkrahjen dhe kontributin e pakursyer të Kanadasë për Kosovën, përgjatë viteve”, tha Aliu.

Tutje ministri theksoi se Republika e Kosovës i është bashkuar Deklaratës së Përbashkët të Vendeve të G7 mbi Mbështetjen për Ukrainën. Kështu, duke shprehur mbështetjen e pa rezervë për përpjekjet e guximshme të Ukrainës ndaj agresorit rus, prej ditës së parë të konfliktit.

“Ministrin e informova rreth angazhimit tonë maksimal që të anëtarësohemi në konventa ndërkombëtare, me ç’rast kërkova mbështetjen e Kanadasë, që rrjedhimisht Kosova të ketë mundësinë që të negocioj dhe të ketë qasje në mekanizma dhe fonde të ndryshme multilaterale, për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të nxitur ruajtjen e mjedisit në përgjithësi”, u shpreh ministri Aliu.

“Për fund, Ministrin Ahmed Hussen, e ftova që të na vizitojë në Kosovë, dhe njëherit u dakorduam për bashkërendim të angazhimit dhe komunikimit në vijim, duke theksuar rëndësinë e madhe të adresimit të suksesshëm dhe efektiv të sfidave të lindura si pasojë e ndryshimeve klimatike me qëllim të garantimit dhe avancimit të mirëqenies së qytetarëve të të dyja vendeve.”

/Motilokal.com