Studimi: 33 për qind e amerikanëve të ndikuar nga nivele të rrezikshme të zhurmës

Studimi: 33 për qind e amerikanëve të ndikuar nga nivele të rrezikshme të zhurmës

Studimet tregojnë se ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj niveleve të larta të zhurmës mund të jetë një faktor rreziku për sëmundje kardiovaskulare. Nju Jorku, qyteti më i madh në Shtetet e Bashkuara për nga popullsia, ka nivelin më të lartë të zhurmës në vend. Shmangia e zhurmës në këtë qytet mund të jetë një sfidë e përditshme për banorët e tij.

Ricky Nguyen banon në zemër të lagjes Chinatown në Nju Jork, ku zhurma e krijuar nga ndërtimet e vazhdueshme po ndikon në mënyrë drastike jetën e tij të përditshme.

"U detyrova të blija një matës zhurme", thotë ai.

Zhurma është rritur në atë masë sa Nguyen tani mat zhurmën që prek jo vetëm atë, por edhe komunitetin e aziatikëve të moshuar që jetojnë në lagjen e tij.

"Nuk mund ta imagjinoj për të moshuarit që jetojnë në atë ndërtesë atje, ata kanë dritare të hapura dhe janë shumë afër gjithë asaj zhurme. Kam jetuar këtu për 11 vjet dhe doja të jetoja këtu për 11 vitet e ardhshme."

Studimi i fundit që përfshin 130 mijë njerëz që përdorën aplikacionin e detektorit të zhurmës në orët e tyre inteligjente të kompanisë Apple, ka zbuluar rezultate shqetësuese, të ngjashme me ato që u publikuan nga eksperti kryesor i studimit.

"Rezultatet paraprake sugjerojnë se gjasat janë që një në tre amerikanë janë të ekspozuar ndaj niveleve të tingullit që mund të jenë të dëmshme për shëndetin e tyre", u shpreh Rick Neitzel, profesor i shëndetit mjedisor në Universitetin e Miçiganit.

Hulumtimi i zotit Neitzel zbuloi gjithashtu gjetje të tjera të papritura.

“Ne kemi zbuluar gjithashtu se jo të gjithë janë të ekspozuar në mënyrë të barabartë. Në fakt, pjesëmarrësit afrikano-amerikanë dhe ata hispanikë në studimin tonë kanë një prirje të kenë ekspozime më të larta ndaj zhurmës sesa njerëzit nga grupet e tjera racore dhe etnike", thotë ai.

Në një studim të veçantë, studiuesit në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusetsit e kanë lidhur ekspozimin e gjatë ndaj zhurmës me probleme të mëdha shëndetësore, që mund të kenë pasoja fatale.

“Bazuar në dhënat tona dhe studimet e të tjerëve, duket se pasojat e zhurmës nuk janë kuptuar mjaftueshëm dhe se ajo është faktor i pavarur rreziku për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare”, tha dr. Michael Osborne, kardiolog i Spitalit të Përgjithshëm të Masaçusetsit.

Studimi i zotit Osborne zbuloi gjithashtu se njerëzit që jetojnë në zona me nivele të larta të zhurmës së transportit, si afër aeroporteve, përballen me një rrezik të shtuar nga rastet e rënda kardiake.

"Në thelb, ne zbuluam se ekziston një rrugë që lidh zhurmën me sëmundjet kardiovaskulare, që kalon përmes trurit dhe përfshin pezmatim të arterieve me pasoja të rënda për shëndetin. Ka shumë të ngjarë që ky është një faktor rreziku i panjohur për sëmundjet kardiovaskulare", thotë ai.

Në përgjigje të shqetësimeve të tilla shëndetësore, informacioni rreth rreziqeve të ndotjes akustike është përhapur përmes faqeve të internetit, organizatave dhe aplikacioneve që ndihmojnë njerëzit të mbledhin të dhëna dhe të angazhohen në përpjekjet për pakësimin e zhurmës në lagjet e tyre.

“Kur fillova, kishte më pak njerëz që luftonin kundër nivelit të dëmshëm të zhurmës, ndërsa tani ka më shumë njerëz që e bëjnë këtë. Ka më shumë studime dhe së fundmi kemi nxitur një ligjvënëse të prezantojë legjislacionin për të rifinancuar zyrën e Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit që merret me kontrollin e zhurmës”, thotë aktivistja Arline Bronzaft.

Me qeverinë federale që mund të trajtojë këtë kërcënim të padukshëm, ndotja akustike së shpejti mund të bëhet një shqetësim po aq i dukshëm sa ndotja e ajrit.

/VOA/Motilokal.com