Europa mund të goditet nga një tjetër valë e të nxehtit javën e ardhshme

Europa mund të goditet nga një tjetër valë e të nxehtit javën e ardhshme

Pas disa ditëve të freskëta nga vala e të nxehtit që kaploi Europën muajin e kaluar, parashikimet tregojnë se temperaturat priten të rriten sërish. Zonat të cilat pritet të  përfshihen nga i nxehti janë Franca, Gjermania, Austria, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Holanda Spanja dhe Portugalia.

Sipas Agjencisë Kombëtare për Parashikimin e Motit Météo France, thuhet se të mërkurën Europa mund të goditet nga një valë tjetër e të nxehtit, por parashikimet ende nuk janë definitive.

Agjencia tha se do të vazhdojë të monitorojë ndryshimet dhe modelet e motit, të cilat janë vazhdimisht në evolim, gjatë ditëve të ardhshme.

Më e rrezikuar duket se është sërish Franca, që po shkon drejt një vale të dytë përvëlimi. I nxehti do të nisë të ndihet nga fundjava dhe deri javën tjetë.

Të mërkurën dhe të enjten ka gjasa që temperaturat të arrijnë pikun deri në 39 °C - 40 °C në juglindje dhe 35 °C në Nouvelle-Aquitaine.

Në fund të javës së ardhshme, disa stuhi priten të shpërthejnë kryesisht në malet e Francës, por nuk ka gjasa që temperaturat të bien nën 30 °C.

Temperaturat e natës në shumicën e zonave, me përjashtim të rajoneve Rhône-Alpes dhe Provence-Alpes-Côte d'Azur, ka gjasa të bien nën 25 °C - 27 °C.

Franca megjithatë nuk do të jetë e vetmja që do të bëjë llogaritë me të nxehtin përvëlues: javën e ardhshme, me një vapë mbytëse pritet të përballen edhe Gjermania, Austria, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Holanda, Spanja e Portugalia.

Ekspertët paralajmërojnë se i nxehti i madh ka shumë gjasë të vazhdojë përgjatë gjithë verës. I nxehti rekord në Europë dhe zonat e tjera të hemisferës veriore, përfshirë disa pjesë të Amerikës së Veriut dhe Azisë, i detyrohet asaj që ata e quajnë rezonancë e valeve planetare, që prodhon një mot të pazakontë në pjesë të ndryshme të globit, e që favorizohet sipas ndryshimeve klimatike të shkaktuara prej aktiviteteve njerëzore. /Motilokal.com/