Ministri Peleshi: Priten reshje të mëdha shiu, bashkitë të marrin të gjitha masat

Ministri Peleshi: Priten reshje të mëdha shiu, bashkitë të marrin të gjitha masat

Ditën e nesërme priten reshje të shiu me intensitet të lartë duke rritur rrezikun e përmbytjeve.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi thotë se qarqet më të rrezikuara janë në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë.

Peleshi sqaron se Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile është në gatishmëri, ndërsa i bën thirrje bashkive në të gjithë vendin që të marrin masat e nevojshme për çdo emergjencë.

“Bazuar në informacionin e marrë nga ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave, duke filluar prej orëve të para të së martës, në vendin tonë priten reshje me intensitet të lartë në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë. Reshje mesatare priten në shumicën e qarqeve të tjera të vendit duke u shoqëruar edhe me shtrëngata. Në qarqet e sipërpërmenduara, mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë për çdo rast emergjence, ndaj ju bëjmë thirrje të gjitha bashkive të marrin sa më parë masat e nevojshme për t’u paraprirë përmbytjeve apo rrëshqitjeve të dherave. Do të jemi në vëzhgim për të gjitha situatat që mund të ndodhin, duke garantuar sigurinë e qytetarëve tanë”, bën të ditur ministri Peleshi.

/Motilokal.com