Përmbytje apokaliptike në Austri! Lumenjtë arrijnë nivelin më të lartë në 100 vite

Përmbytje apokaliptike në Austri! Lumenjtë arrijnë nivelin më të lartë në 100 vite

Stuhitë dhe shirat e rrëmbyer kanë sjelle vërshime të befasishme uji në Austri ku disa lumenj mbërritën nivelin më të lartë në 100 vjet sipas raporteve të mediave lokale.

Rajonet perëndimore dhe jugore të Vorarlberg, Tirol, Salzburg dhe Carinthia ishin ato që u prekën më shumë nga kushtet ekstreme të motit. Një sërë shtëpish u evakuuan, dhe mjaft rrugë e ura u mbyllën nga autoritetet për shkak të frikës nga përmbytjet.

Ekspertët e GeoSphere shërbimi meteorologjik i vendit, paralajmëruan për “lumenj balte dhe përmbytje masive” në kohën kur në një numër të madh zonash priten deri në 100 milimetra shi.

Rreth 70 vetë u evakuuan me urgjencë nga 30 shtëpi në Tumpen, një fshat në Tirol. Transmetuesi austriak ORF tha se një situatë e tillë nuk ishte parë prej një shekulli. Videot në mediat sociale treguan një rritje të ndjeshme të nivelit të ujit të liqenit Achen, ndërsa u raportua gjithashtu se rrugët ishin bllokuar nga uji nëpër luginën Otztal.

Ujëvara Gasteiner në Salzburg, zakonisht një magnet për turistët e huaj, u prek edhe ajo nga përmbytjet pas 24 orësh shiu të dendur. Meteorologët thonë se kjo situatë është krijuar nga një sistem me presion të ulët në të gjithë Italinë veriore, i cili ka “dërguar ajër të lagësht në Austri”.

GeoSphere njoftoi se në ditët në  vijim duhet të ketë një lehtësim të motit me pak diell dhe shira të izoluar, përpara se të mbërrijnë kushte më të qeta dhe “me diell” në fundjavë.

/Motilokal.com