Më në fund disa qese të plastikës ndalohen e disa do të bëhen me pagesë

Më në fund disa qese të plastikës ndalohen e disa do të bëhen me pagesë

Qeveria e Republikës së Kosovës ditë më parë ka miratuar Udhëzimin Administrativ për Ambalazhin dhe Mbeturinat e Ambalazhit.

Sipas këtij Udhëzimi do të përcaktohen kushtet, procedurat, përgjegjësitë dhe detyrimet për prodhuesit, importuesit, shitësit dhe palët e tjera të përfshira, për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e produkteve të ambalazhuara.

Ndërsa sot në një konferencë për media ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastruktures, Liburn Aliu tha se qytetarët do të duhet të paguajnë për qeset plastike me hyrjen në fuqi të Udhëzimit Administrativ për Ambalazhin dhe Mbeturinat e ambalazhit.

Ai theksoi se qeset e holla te plastikës nga zero deri në 25 mikron do të ndalohen tërësisht, ndërsa ato deri në 50 mikron do të kushtojnë 5 centë.

“Ky udhëzim administrativ do të ketë ndikim tek ambienti, duke eliminuar qeset e plastikës dhe shishet e plastikës më pastaj si dhe trajtimin e ambalazhit nga shishet. Qeset e holla të plastikës do ndalohen. Qeset nga 25 deri 50 mikron do të lejohen për përdorim dhe do të kushtojnë 5 centë. Megjithatë nuk do të lejohet që të kenë logo të prodhuesit”, ka deklaruar ministri Aliu.

“Do të kemi ndalim të prodhimit, importeve dhe shitjes në treg të qeseve plastike mbajtëse ose degraduese. Për qeset e plastikës të biodegradueshme të çfarëdo madhësie dhe trashësie me një certifikatë përkatëse që vërteton që qeset e plastikës janë nga materiali i biodegradueshëm do t’i vendoset çmim prej 0.02 euro. Për qeset e plastikes mbajtëse me doreza mbi 50 micron nuk do të vendoset çmim shitje minimal detyrues e as tarifë prej 0.02 euro”, u shpreh Aliu.

Tutje ministri Aliu tha se me udhëzimin administrativ do të krijohet mundësia e rimbursimit të dispozitave, megjithëse një gjë e tillë sipas tij do të marrë kohë.

“Ne jemi të vendosur në këtë çështje”, tha Aliu.

/Motilokal.com