Tetë ditë në shpellë, shpëtohet eksploruesi amerikan në Turqi

Tetë ditë në shpellë, shpëtohet eksploruesi amerikan në Turqi

Eksploruesi amerikan Mark Dickey u shpëtua sot herët nga një shpellë në Turqinë Jugore pasi u sëmur brenda saj javën e kaluar, duke mbetur i bllokuar, raporton Anadolu.

"Mark Dickey u hoq nga dalja e fundit e shpellës", tha Federata Turke e Shpelltarëve (TUMAF) në rrjetin social "X".

"Kështu, pjesa e operacionit të shpëtimit në shpellë ka përfunduar me sukses. Përgëzojmë të gjithë ata që kanë kontribuuar", tha Federata.

Dickey fillimisht u dërgua në një tendë mjekësore dhe u transferua në një spital më vonë në qytetin jugor turk të Mersinit, thanë autoritetet.

Gati 200 pjesëtarë nga tetë vende iu bashkuan operacionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Autoriteti Shtetëror i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD) për të shpëtuar eksploruesin.

Tetë ditë më parë, Dickey u sëmur në Shpellën Morca në provincën e Mersinit mbi 1000 metra poshtë hyrjes së shpellës.

Ai ishte pjesë e një ekipi eksploruesish prej 14 personash që zbriti në Morca përpara se të shfaqte shenja shqetësimi gastrointestinal.

"Është e mahnitshme të jesh përsëri mbi tokë", u tha ai gazetarëve.

Dickey tha se kishte frikë se nuk do të jetonte pasi gjendja e tij ishte përkeqësuar, duke falënderuar qeverinë turke dhe komunitetin ndërkombëtar të shpelltarëve që i shpëtuan jetën.

"Vazhdova të villja gjak. Më pas vetëdija ime filloi të bëhej më e vështirë për t’u mbajtur dhe arrita në një pikë ku thashë se nuk do të jetoj", u shpreh Dickey.

/Anadolu/Motilokal.com