Toksinat nën maskën e freskisë: Sa jemi të sigurt nga produktet ushqimore?

Toksinat nën maskën e freskisë: Sa jemi të sigurt nga produktet ushqimore?

Shumica e produkteve ushqimore që i konsumojmë përmbajnë substanca dhe materie që janë rrezik potencial për shëndetin e njeriut, qofshin ata përbërës natyralë, ose shtesa, e të cilët depërtojnë në ushqim si pasojë e kontaminimit të tij me disa faktorë të jashtëm.

Njeriu është në krye të zinxhirit të ushqimeve ndaj për këtë shkak fut në organizmin ushqime të ndryshme e bashkë me të fut edhe përbërësit e tjerë.

Përkitazi më këtë ditë më parë Flakron Ahmeti, inxhinier i teknologjisë ushqimore dhe shef kuzhine në profilin e tij në Facebook publikoi dy fotografi te shalqirit dhe pjeprit që përmbanin sasi të lartë të nitrateve dhe nitriteve.

Shalqiri dhe pjepri janë dy fruta goxha të konsumuara gjatë sezonit të verës dhe prania e lartë e nitrateve dhe nitriteve përbën rrezik të madh për shëndetin e njeriut.

Ahmeti ka treguar se gjatë matjeve kishte vërejtur nivele të larta të nitrateve dhe nitriteve, duke ndezur alarmin për sigurinë e këtyre produkteve.

Për ta sqaruar më tej këtë dukuri motilokal.com zhvilloi një intervistë me të.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Flakron, a mund të na tregoni se çfarë janë nitratet dhe nitritet dhe ku janë të pranishme ato?

Nitritet dhe nitratet janë substanca kimike që gjenden natyrshëm në trupin tonë. Mirëpo, pjesë më e madhe merret nga ushqimet, si në mish apo me se shumti rreth 80% e tyre gjenden në perime.

Cili është ndikimi i nitrateve dhe nitriteve në rritjen dhe zhvillimin e prodhimeve bujqësore?

Një nga ndikuesit kryesore në uljen e cilësisë se produkteve ushqimore është abuzimi me përdorimin e tepërt të plehrave kimike dhe azotike. Përdorimi i tepërt pa kriter i plehut azotik gjatë kultivimit të tyre çon në një akumulim të joneve nitrate (NO) dhe nitrite (NO2) në organet e ndryshme të perimeve. Këto jone mund të mos jenë të dëmshme për vetë bimën, por mund të ushtrojnë veprim toksik te njerëzit dhe kafshët që e konsumojnë atë.

Nitratet janë të njohura për të kontribuar në rritjen e prodhimit të bimëve. Si mund të menaxhohen këto nivele për të minimizuar ndikimin negativ në shëndetin e njeriut dhe mjedisin?

Niveli i këtyre substancave mund të kontrollohet gjithmonë duke i kushtuar rëndësi përdorimit adekuat të plehrave azotike dhe kimike.

Çfarë metodash përdorni për të monitoruar dhe kontrolluar nivelet e nitrateve dhe nitriteve në fruta dhe perime?

Mendoj se kjo varet nga kushtet e mjedisit. Shumë punime kanë treguar që akumulimi më i madh i nitrateve ndodh në periudhën me intensitet të ulët drite në ditët e shkurtra (vjeshtë dhe dimër), sidomos kur përdoren doza të mëdha të plehut nitratik gjatë kultivimit, të cilat janë më evidente në terrene të mbrojtura (serra), kështu që metodat më të mira janë ato të kultivimit të bimëve në mjedis adekuat.

Cilat janë rreziqet potenciale të konsumimit të produkteve bimore që kanë nivele të larta të nitrateve dhe nitriteve për shëndetin e njerëzve?

Konsumimi i produkteve me nivel të lartë të këtyre substanca mund të sjellë një serë pasojash në organizmin e njeriut, si çrregullimi i presionit të gjakut, sëmundjet e zemrës e shumë probleme të tjera në varësi të imunitetit të personit.

A mund të sqaroni më shumë për normën e lejuar të nitrateve dhe nitriteve në produktet ushqimore, si fruta, perime dhe të tjera?

Për çdo perime duhet të ketë normë të lejuar me këto substanca. Po ashtu, njeriu e ka normën e lejuar të konsumimit të këtyre substancave në bazë ditore. Një njeri i peshës rreth 65 kg, ka një normë të lejuar rreth 235mg në ditë.

A ka ndonjë simptomë ose efekte të menjëhershme në shëndetin e personit pas konsumimit të produkteve me nivele të larta të nitrateve dhe nitriteve?

Konsumimi i këtyre substancave përmes ushqimit zakonisht ka një efekt më afatgjatë, por që në disa raste mund të ketë edhe efekte të menjëhershme me simptoma më të lehta.

Cilat janë sëmundjet më të zakonshme që lidhen me konsumimin e niveleve të larta të nitrateve dhe nitriteve?

Kur këto substanca merren në sasi të mëdha, të cilat kur futen në trup mund të kthehen në qeliza të dëmshme, mund të zhvillojnë sëmundje të zemrës dhe probleme të qarkullimit të gjakut.

Si mund të edukohen fermerët dhe konsumatorët për rreziqet e niveleve të larta të nitrateve dhe nitriteve në prodhimet bimore?

Fermerët mund të edukohen duke mbajtur një program adekuat të përdorimit të plehrave kimike apo azotike, ndërsa konsumatoret duke i kushtuar rëndësi një produkti para konsumimit.

/Motilokal.com