Dhjetëra fshatra pa energji elektrike në juglindje të Shqipërisë nga moti i ligë

Dhjetëra fshatra pa energji elektrike në juglindje të Shqipërisë nga moti i ligë

Më shumë se 40 fshatra të juglindjes së vendit, nga mëngjesi i ditës së sotme, janë pa energji elektrike. Shkak janë bërë kushtet e vështira atmosferike me reshje të shumta shiu, shoqëruar me erë të fortë në zonat malore.

Vetëm në njësinë administrative Gore, të Bashkisë së Maliqit, prej disa orësh kanë mungesë të energjisë elektrike 17 fshatra, ndërkohë që 3 fshatra në njësinë administrative Moglicë prej 3 ditësh janë pa energji elektrike.

Pa energji elektrike për shkak të stuhisë dhe shkarkimeve të shumta atmosferike, nga mëngjesi i sotëm janë dhe 12 fshatra të njësisë administrative Propotisht. E njëjta situatë paraqitet edhe në 5 fshatra në njësinë administrative Pojan, të Bashkisë së Maliqit, si dhe fshatra të tjerë të Bashkisë së Korçës, të cilët marrin furnizim nga i njëjti fidër.

Pa energji elektrike janë edhe fshatra të Bashkisë Devoll e Kolonjë, kryesisht të Devollit të Sipërm, por edhe ato të fushës. Kushtet e vështira atmosferike e bëjnë të vështirë, këto orë të para të mëngjesit, ndërhyrjen e specialistëve të OSSHE, por burime të sigurta thanë se ka pasur edhe stakime nga ana e operatorit të shpërndarjes për shkak të shkarkimeve atmosferike të shumta në këto zona.

/Motilokal.com