Tesla ul sërish çmimet: Beteja për tregun në favor të klientëve

Tesla ul sërish çmimet: Beteja për tregun në favor të klientëve

Tesla prezantoi modelin Y në SHBA të hënën me një çmim prej vetëm 43,990 dollarësh, me një distancë të deklaruar prej 420 kilometrash. Me këtë lëvizje, Tesla gjunjëzon edhe konkurrencën me motorët me djegie të brendshme konvencionale.

Tesla ka lansuar një version të ri të Modelit Y në SHBA që është 3,750 dollarë më i lirë se modeli i mëparshëm bazë. Është interesante se kjo ofertë e re erdhi vetëm pak orë pasi ky prodhues i veturave elektrike raportoi një “rënie” të numrit të veturave të dorëzuara në tremujorin e tretë, i cili ishte më i madh se sa pritej. Për shkak të kësaj, aksionet e Tesla pësuan një rënie të lehtë në vlerë të martën.

Me një model të ri të nivelit fillestar që fillon nga 43,990 dollarë, plus një zbritje shtesë prej 500 dollarësh dhe 7,500 dollarë zbritje federale pas blerjes, kjo do të thotë që ju mund ta merrni këtë model për një çmim përfundimtar prej vetëm 35,990 dollarë. Kjo e bën Model Y tërheqës edhe për blerësit që nuk i kanë konsideruar modelet elektrike, sepse me këtë çmim është dukshëm më i përballueshëm se shumë modele të kësaj madhësie me motorë konvencionalë me djegie të brendshme.

Modeli Y bazë i mëparshëm prej 47,740 dollarësh nuk është më i disponueshëm. Versionet me rreze më të gjatë dhe me performancë më të lartë me dy motorë për Modelin Y fillojnë nga 50,490 dollarë dhe 54,490 dollarë.

Tesla prej disa kohësh e shet modelin Y në Kinë dhe Evropë, ndërsa në vitin 2021 ofroi shkurtimisht një model RWD Model Y në SHBA me një distancë prej 390 kilometrash, por shumë shpejt e tërhoqi atë version nga tregu.

Modeli Y më i lirë duhet të përmirësojë shitjet, por në të njëjtën kohë ai paralajmëron vazhdimin e presionit mbi çmimet e shitjeve dhe marzhet, të cilat prodhuesit evropianë e ndjenë fuqishëm në të gjitha tregjet e BE-së këtë verë.

/Motilokal.com