Dardha e zbukuruar nga ngjyrat e arta të vjeshtës

Dardha e zbukuruar nga ngjyrat e arta të vjeshtës

Të udhëtosh mes ngjyrave të vjeshtës në Dardhë të Korçës është një aventurë e paharrueshme. Një fshat shumë i njohur dhe karakteristik, që përveç bukurive natyrore, ofron edhe kulturë dhe traditë. E shtrirë mes maleve e pyjeve, me një bukuri të rrallë natyrore, në lartësinë e 1344 metrave, mbi nivelin e detit, Dardha mbetet një ndër vendet që ja vlen të vizitohet në çdo stinë të vitit.

Ajo që do ju mahnis në pamje të parë të këtij fshati është rregullsia e planimetrisë së shtëpive, arkitektura interesante, pastërtia shembullore nëpër rrugët me kalldrëm, që në shumicën e kohës janë të mbushura edhe me një shtresë bari.

Ndërsa për të gjithë ata që janë të interesuar për natyrën, Dardha nuk do ‘ zhgënjejë me mrekullitë e saj.

Diçka që ia vlen të përmendet dhe që kurrsesi nuk duhet ta humbisni është gatimi tradicional i kësaj zone, lakrori në saç, të cilin me siguri asnjë nga amviset e këtij fshati nuk do ngurojë ta përgatisë për ju më shumë dashuri.

Përveç verës dhe vjeshtës edhe sezoni i dimrit mbetet mjaft i preferuar për pushuesit që frekuentojnë fshatin turistik të Dardhës. Thuajse nga e gjithë Shqipëria, persona të ndryshëm i drejtohen rrugës që të çon drejt Dardhës, pasi atje nuk është e nevojshme të kesh një axhendë për të kaluar ditën.


/Motilokal.com