Dy shkencëtarë në Francë kanë zbuluar ndoshta depozitën më të madhe të një burimi energjie të pastër që mund të jetë shpëtimtare në përpjekjen për të frenuar efektet e ndryshimeve klimatike.
Jacques Pironon dhe Philippe De Donato, drejtorë kërkimi në Qendrën Kombëtare të Kërkimeve Shkencore të Francës, zbuluan një depozitë prej 6 milion deri në 250 milionë ton metrikë të gazit të bardhë hidrogjen.
“Ne propozojmë shpime të thella (deri në 3000 metra thellësi) për të vërtetuar se përqendrimi i hidrogjenit rritet në thellësi më të madhe. Nëse ky është vërtet rasti, ne do të konfirmojmë praninë e një stoku jashtëzakonisht të madh të hidrogjenit të prodhuar në mënyrë natyrale, më i madh se çdo tjetër i zbuluar deri më sot, dhe do të jemi në gjendje të bëjmë një vlerësim të parë realist të madhësisë së tij”, shpjegojnë dy shkencëtarët.
“Shumë partnerë tregtarë dhe institucionalë, francezë dhe ndërkombëtarë, janë të interesuar për financimin e projektit. Mbetet për të bindur shtetin francez për vlerën e kësaj nisme, për të siguruar përfundimisht lejet e nevojshme”, theksojnë ata.
Çfarë është hidrogjeni i bardhë?
Megjithëse hidrogjeni si një mjet energjie nuk është asgjë e re për shkencën, hidrogjeni i bardhë është relativisht i ri.
Hidrogjeni prodhon ujë dhe pa ndotës kur digjet, duke e bërë atë një zgjidhje energjetike miqësore me mjedisin. Megjithatë, deri vonë, shkencëtarët besonin se sasi masive të hidrogjenit mund të prodhoheshin vetëm artificialisht, në një laborator.
"Nëse do të më kishit pyetur katër vjet më parë se çfarë mendoja për hidrogjenin natyror, do të kisha thënë 'oh, ai nuk ekziston'", pranon Jeffrey Ellis, një gjeokimist në Shërbimin Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS). "Hidrogjeni është atje, ne e dimë këtë", thotë Ellis, duke pranuar megjithatë se shkencëtarët nuk mendonin se ekzistonte në përqendrime të mëdha.
Rezulton se Ellis, si dhe ata që besuan të njëjtën gjë, e kishin gabim.
Në vitin 1987, rastësisht, një rezervë e madhe u zbulua në Mali. Megjithatë, sot, prodhimi i vendit të Afrikës Perëndimore nuk i kalon 5 ton në vit, një sasi që zbehet në krahasim me prodhimin global të hidrogjenit gri të vlerësuar në 80 milionë tonë në vit.
Hidrogjeni i bardhë i referohet hidrogjenit natyror dhe "ngjyra" e tij tregon origjinën e tij natyrore në koren e Tokës.
"Ngjyrat" e tjera të përdorura për të përcaktuar origjinën e hidrogjenit - "e gjelbër" nga elektroliza, "gri" nga metani, "e zeza" nga karboni - rrjedhin nga laboratori.
Tani, kërkimi shkencor është fokusuar shumë në hidrogjenin e bardhë (i quajtur edhe hidrogjen 'natyror', 'artë' ose 'gjeologjik') pasi konsiderohet 'grali i shenjtë kundër krizës klimatike që do të 'ndihmojë në përshpejtimin e shpëtimit të planetit nga efektet”, tha gjeokimisti Vyaçesllav Zgonik.
I pastër dhe i lirë
Hidrogjeni prodhon ujë vetëm kur digjet, prandaj është një zgjidhje shumë tërheqëse si një zgjidhje potenciale për energjinë e pastër për industrinë e aviacionit, transportit detar dhe çelikut, pra industri me nevoja të mëdha energjie.
Por edhe pse hidrogjeni është elementi më i bollshëm në planet, ai ekziston vetëm në kombinim me molekula të tjera. Aktualisht, hidrogjeni komercial prodhohet në një proces intensiv energjie i mundësuar pothuajse tërësisht nga lëndët djegëse fosile. Megjithatë, hidrogjeni i bardhë nuk kërkon asnjë nga këto procese me energji intensive, kjo është arsyeja pse ai duket si zgjidhja e së ardhmes. Është gjithashtu më e lirë pasi vlerësohet të kushtojë 1 dollarë për kilogram për t'u prodhuar, krahasuar me 6 dollarë për kilogram hidrogjen i gjelbër.
Rezerva të hidrogjenit të bardhë janë gjetur në të gjithë botën, disa rastësisht, të tjera pas kërkimeve përkatëse në SHBA, Evropën Lindore, Rusi, Australi, Oman, Mali dhe Francë.
Sipas vlerësimeve të Ellis, mund të ketë dhjetëra miliarda ton hidrogjen të bardhë në botë, pafundësisht më shumë se 100 milionë ton hidrogjen që prodhohet çdo vit sot dhe 500 milionë ton që parashikohet të prodhohen çdo vit deri në vitin 2050, sipas tij.
/Motilokal.com
