Bie borë në Kosovë

Bie borë në Kosovë

Depërtimi i masave ajrore të lagështa me origjinë nga Oqeani Atlantik si dhe brigjet Skandinave që përfshinë Evropën, Rajonin dhe Kosovën, kanë sjellë edhe rënie të temperaturave duke bërë që të bie borë në zonat malore.

Sot një pjesë e viseve malore të Kosovës janë zgjuar të zbardhur nga bora. Bora ka zbardhur Bjeshkët e Brodit të Komunës së Dragashit si dhe maja të tjera të Kosovës dhe Shqipërisë.

Fshati Brod është i begatshëm edhe me shtigje të skive. Pikërisht për këtë arsye është ngritur edhe Qendra Skitare, si njëra ndër qendrat më të reja skitare në Kosovë. Në kuadër të saj funksionon edhe ski lifti i cili ofron mundësi dhe kushte edhe për ski gjatë natës.


Gjithashtu ekzistojnë edhe kushte për zhvillimin e turizmit malor dhe organizimin e garave të ndryshme, si në nivel të Kosovës ashtu dhe të atyre ndërkombëtare.

Terreni përreth Brodit në jugperëndim është kodrinor, por në verilindje është malor. Pika më e lartë mbidetare është Rule, 2220 metra mbi nivelin e detit dhe e cila gjendet 2.8 kilometra në lindje të Brodit.

Temperatura mesatare vjetore në rajon është 3 °C. Muaji më i ngrohtë është korriku, kur temperatura mesatare është 15 °C, ndërsa muaji më i ftohtë është janari, me -10 °C. Reshjet mesatare vjetore janë 1160 milimetra. Muaji me të reshurat më të mëdha është nëntori, me një mesatare prej 133 mm, kurse muaji më i thatë është gushti, me vetëm 34 mm reshje.

/Motilokal.com