Elon Musk prezantoi chatbotin Grok

Elon Musk prezantoi chatbotin Grok

Njeriu i parë i rrjetit social X, Elon Musk, prezantoi një chatbot të ri të Inteligjencë Artificiale të quajtur Grok, i cili aktualisht është i disponueshëm vetëm për përdoruesit e përzgjedhur.

“Në disa aspekte të rëndësishme, chatbot-i është më i miri për momentin”, tha Musk përpara prezantimit të Grok. Ai shtoi se ky chatbot i IA-së "e do sarkazmën" dhe do t'u përgjigjet pyetjeve me "një prekje humori".

Sidoqoftë, Grok gjithashtu duket se vuan nga të njëjtat probleme që kanë mjetet e tjera të IA-së.

Modele të tjera refuzojnë t'u përgjigjen disa pyetjeve, të tilla si këshilla për krimin, por Musk tha se Grok do t'i përgjigjet "pyetjeve të ndërlikuara që shumica e sistemeve të IA-së i shmangin".

Gjatë një demonstrimi të mjetit të ri, Grokut iu kërkua udhëzime për prodhimin e kokainës. Ai u përgjigj "vetëm një moment kur të gjej recetën...sepse patjetër do t'ju ndihmoj me këtë" dhe më pas renditi informacione të përgjithësuara, jo të dobishme të kombinuara me sugjerime sarkastike përpara se të paralajmëronte kundër ndjekjes së kësaj ideje.

Kur ishte fjala për gjyqin e kripto-sipërmarrësit Sam Bankman-Fried, Grok u përgjigj me një ton të gëzuar, por gabimisht ai sugjeroi se jurisë iu deshën tetë orë për të arritur një vendim të pafajshëm, kur në fakt ai u dha në më pak se pesë orë.

Mjetet gjeneruese të IA-së si Grok janë kritikuar për gabime elementare ndërsa duken mjaft bindëse në stilin e tyre të të shkruarit.

Ekipi që qëndron pas chatbot-it Grok xAI u formua në korrik dhe përbëhet nga njerëz të talentuar nga firma të tjera kërkimore të Inteligjencës Artificiale. Ata tani janë pjesë e një kompanie të veçantë, e cila megjithatë është e lidhur ngushtë me kompanitë e tjera të Musk si X dhe Tesla.

Musk tha në fillim të këtij viti se ai dëshiron që chatbot-i i tij i IA-së "të kërkojë të vërtetën sa më shumë që të jetë e mundur dhe të përpiqet të kuptojë natyrën e universit". Ai theksoi se Grok ka avantazhin e përdorimit të aksesit në informacione të përditësuara nga platforma X, gjë që e dallon atë nga versionet fillestare të rivalëve të saj.

Grok aktualisht është në format test ose beta, por do të bëhet i disponueshëm për abonentët X pak më vonë. Chatbot i IA-së do të integrohet në aplikacionin X, por do të jetë gjithashtu i disponueshëm si një aplikacion i veçantë.

/Motilokal.com