Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka mbajtur një konferencë për media, ku është folur për nivelin e manganit në ujin e pijes nga Badovci.
Në konferencën për media u a tha se analizat e fundit laboratorike, ndonëse tregojnë për rënie të vlerave referente të manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës, ende nuk janë brenda vlerave standarde të parapara në Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 - Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu.
Me qëllim të informimit të drejtë IKSHPK njofton se nga matjet e fundit laboratorike rezulton se në katër ditët e fundit vlerat e manganit janë si vijon:
Me datën 7 nëntor: 0.19-0.40 mg/litër
Me datën: 8 nëntor: 0.19-0.35 mg/l
Me datën 9 nëntor: 0.17-0.30 mg/l
Me datën 10 nëntor: 0.058-0.19. mg/l
Ndërsa, vlera e lejuar për përdorim të ujit për pije është: 0.05 mg për litër (uji në rubinetë/çeshme).
IKSHPK tha se nga këto vlera krahasuese, shihet që përkundër rënies së tyre, ende nuk është arritur standardi i lejuar për përdorim të ujit për pije.
U theksua se uji mund të përdoret për të gjitha veprimtaritë e tjera ditore (higjienë personale dhe mjedisore, përdorim të ushqimit, etj.).
“Uji nga resurset e tjera: Liqeni i Batllavës -Fabrika e Ujit në Albanik (Shajkovc) si dhe Liqeni i Ujmanit nëpërmjet kanalit të Mihaliqit, gjegjësisht trajtimi në Fabrikën e Ujit në Shkabaj,) në regjionin e Prishtinës, i plotëson kriteret e parapara për pije dhe këtë e vërtetojmë me rezultatet laboratorike që kryhen në baza ditore dhe monitorimit si aktivitet themelor i Qendrës së ujit brenda IKSHPK-së”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu IKSHPK njoftoi se testohet edhe uji i ambalazhuar i prodhuesve të ndryshëm, sipas kontratave të operatorëve me Institutin për kryerjen e këtyre testimeve.
IKSHPK i ka dy laboratorë të akredituara me standarde ndërkombëtare dhe uji i nënshtrohet analizës në të dy këto laboratorë:
1. Laboratori i parametrave bazik ku testohet Mangani si parametër indikues bazik; dhe
2. Laboratori analitik ku bëhen analizat më të detajuara, ku gjithashtu testohet mangani si metal i rëndë.
Që nga shfaqja e fenomenit të rritjes së vlerave të manganit në ujë, i cili është një fenomen natyror që shfaqet çdo vjet gjatë ndërrimeve sezonale, kryesisht në resurset sipërfaqësore, IKSHPK ka dhënë rekomandime në dy drejtime:
Rekomandime për qytetarët dhe
Rekomandime për kompaninë e ujit KRU “Prishtina” se çfarë duhet të bëjnë.
Sa u përket qytetarëve, mbesin në fuqi rekomandimet e deritanishme të cilat janë të publikuara dhe janë komunikuar vazhdimisht, ndërsa kompanisë KRU “Prishtina” i është rekomanduar që në planin afatgjatë të ndërmerren masa si:
• Ndërtimi i kullës së veprës së marrjes për përthithje të ujit në nivele të ndryshme (të liqenit) në përputhshmëri me standardet teknike; dhe
• Funksionalizimi i gypit furnizues të ujit nga kanali Ibër - Lepenc.
Me rekomandimin e IKSHPK-së, sikur ka njoftuar edhe “KRU Prishtina”, sot kjo kompani do të bëjë shpëlarjen e linjave magjistrale dhe sekondare në zonat që furnizohen nga Liqeni i Badovcit, pra nga zonat e prekura nga niveli i lartë i manganit, me qëllim të përmirësimit të kualitetit të ujit.
IKSHPK rikujton se misioni kryesor i tij është mbrojtja dhe përparimi i shëndetit të popullatës dhe ky qëllim sigurohet përmes aktiviteteve dhe mbështetjes së plotë në ligjet aktuale në fuqi, të cilat janë të përafruara me legjislacionin evropian.
/Motilokal.com
