Pija Prime, e cila kohët e fundit ka qenë një hit i vërtetë kryesisht te fëmijët në mbarë botën, është ndaluar në Slloveni, sipas Autoritetit të Sigurisë Ushqimore të atij vendi.
Versioni me kafeinë i kësaj pije energjike është i ndaluar sepse përmban përbërësin L-theanine, i cili nuk lejohet në pijet joalkoolike. Për këtë arsye operatorët janë urdhëruar që të mos e shesin më versionin e pijes me kafeinë, ndërsa versioni pa kafeinë do të mbetet në rafte.
Pas pyetjeve të konsumatorëve dhe një raporti nga Shoqata e Konsumatorëve të Sllovenisë, inspektorët nga Administrata për Sigurinë Ushqimore, Mjekësi Veterinare dhe Mbrojtjen e Bimëve të Republikës së Sllovenisë kryen një inspektim dhe përcaktuan se një nga dy versionet e pijes në qarkullim përmban L-theanine dhe pija është ndaluar që nga e hëna.
Pija energjike me kafeinë e kësaj marke përmban deri në 200 miligramë kafeinë për kanaçe, ndërsa pijet e tjera energjike të njohura në treg përmbajnë rreth 80 miligramë kafeinë për kanaçe.
Meqë ra fjala, Prime është marka e dy YouTubers Logan Paul dhe KSI.
Shpallja dhe publikimi i produktit në vitin 2022 u pasua me bujë të vërtetë në rrjetet sociale, gjë që nuk është për t'u habitur duke pasur parasysh se dyshja e përmendur ka dhjetëra miliona ndjekës.
/Motilokal.com
