Pas muajve të nxehtë të verës dalëngadalë po u afrohemi ditëve me temperatura të ulëta. Anipse stinët nuk janë si dikur si pasojë e ndryshimeve klimatike, megjithatë mund të shfaqen edhe viroza dhe ftohje, me to edhe problemet shëndetësore të njohura si infeksione stinore.
Këtyre ditëve janë vënë re ndryshime të shpeshta të temperaturës, çfarë bën që të gjithë t’i ekspozohen rreziqeve për t’u prekur nga viruset e stinës, e sidomos fëmijët. Është shumë e rëndësishme që në momentin e parë të shfaqjes së shenjave, kujdesi të bëhet nga prindërit në kushte shtëpie dhe më pas fëmija të dërgohet te pediatri. Përgjithësisht, ndërlikimet e shfaqura janë ato të bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes, temperatura e lartë, të vjellat apo dhimbje e forta të kokës.
Për të mësuar më shumë rreth viruseve stinore dhe si të mbrohemi nga to, Motilokal.com zhvilloi një intervistë me dr. Lendrit Spahiu, pediatër.
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Dr. Lendrit, jemi në stinën e vjeshtës dhe pas një vere përvëluese dalëngadalë po kalojmë në temperatura më të ulëta dhe fillojnë gripat sezonale. Si të mbrohemi nga viruset?
Stina në të cilën gjendemi na sjellë sëmundje që i prekin kryesisht traktin respirator dhe atë gastrointestinal, me simptomologji varësisht prej traktit që prek. Kryesisht janë sëmundje virale siç e keni cekur edhe ju. Ai që prek më së shpeshti traktin respirator është virusi sincicial respirator, virus ky që manifestohet me rrjedhje hundësh, temperaturë të lartë, teshtitje, kollitje të theksuar si dhe nganjëherë me mungesë oreksi te fëmijët. Për këtë virus si dhe shumë të tjerë, që i prekin zakonisht fëmijët, jepet terapi simptomatike. Tani, pyetja qëndron si të mbrohemi nga këta? Mirë është t’i shmangemi vendeve ku ka shumë njerëz. Nëse kemi një fëmijë të sëmurë me gjendje virale, mos e dërgoni në kopsht dhe në shkollë në mënyrë që mos të jetë burim i infeksionit.
Vjeshta është një stinë ku moti është i paqëndrueshëm edhe pse tani po është më ngrohtë nga ndryshimet klimatike. Cilat janë infeksionet më të shpeshta në këtë stinë?
I përmenda infeksionet e traktit respirator, që si pasojë e temperaturave të larta janë infeksione që prekin traktin gastrointestinal që manifestohen me vjellje, temperaturë, barkqitje dhe nganjëherë si pasojë e humbjes së lëngjeve, mund të vije edhe deri të dehidrimi. Zakonisht, këto infeksione nuk janë tipike për stinën e vjeshtës, por që manifestohen në këtë stinë, për shkak të ngritjes së temperaturave dhe për shkak se në Kosovë ka munguar vaksinimi kundër këtyre viruseve. E që fatmirësisht, ky vaksinim nga muaji tetor veçse ka filluar.
Gripit sezonal nuk mund t’i shpëtojnë as fëmijët, a mund të na tregoni se cilat janë simptomat më të zakonshme të infeksioneve sezonale tek të vegjlit?
Gripi sezonal shkaktohet nga virusi i gripit për dallim nga flama që simptomat i ka më të lehta, që karakterizohet me rrjedhje hundësh, temperaturë subfebrile, e cila nuk është shumë e lartë, pastaj me kollitje dhe me teshtitje. Gripi sezonal ka simptoma pak më të theksuara, për shembull me temperaturë që mund të shkojë deri në 40 gradë, kokëdhimbje, dhimbje të fytit, kollitje dhe pastaj mund të ndikojë në rënien e oreksit te fëmijët. Kjo ndikon në uljen e aktiviteteve të fëmijët, që fëmija më nuk është në rutinën ditore sa i përket aktivitetit, por ka lodhje, plogështi, dhimbje muskulare, kokëdhimbje, e këto janë simptomat e gripit që prekin edhe fëmijët, por për shkak që fëmijët janë si organizma më të fortë se sa i rrituri, ata mund ta kalojnë me terapi simptomatike.
Si ndryshojnë manifestimet e virusit gjatë të ftohtit në vjeshtë dhe dimër nga ato në pranverë e verë?
Numri i viruseve që i prekin fëmijët, por edhe të rriturit gjatë stinëve të ftohta është numër jashtëzakonisht i madh. Vetëm virusi i gripit ka shumë lloje ose nënlloje që ndahen varësisht nga periudha që e prekin. Kemi virusin e gripit A, pastaj B edhe janë nëngrupet, tjera tip një, tip dy, etj. Varësisht se në ç’periudhë kohore lajmërohet, secili prej këtyre viruseve godet në stinët e caktuara. Mirëpo, trajtimi i këtyre viruseve, virulenca e virusit mund të dallojë, mund të jenë disa viruse pak më agresivë, disa janë më të lehtë, mirëpo trajtimi i tyre është i njëjtë dhe është trajtim simptomatik pa antibiotikë.
Çfarë këshilloni për ruajtjen e sistemit imunitar të fëmijët gjatë periudhave të rrezikut të infeksioneve sezonale?
Fillimisht, një fëmijë i porsalindur duhet të fillojë me qumësht të gjiri të nënës, për një fillim të mbarë. Një fëmijë krahas ushqimit që e merr nëpërmjet qumështit të gjirit, i merr edhe antitrupat e nënës, dhe për çdo sëmundje që e ka nëna, organizmi krijon antitrupa kundër asaj sëmundje. Kështu, fëmija që ushqehet me qumësht gjiri i merr edhe antitrupat e gatshëm. Në njëfarë forme sensibilizohet që në momentin kur bie në kontakt me këta shkaktarë, në periudhat vijuese, domethënë është organizmi i sensibilizuar dhe është i njoftuar me antitrupa kundër atyre sëmundjeve. Të ushqyerit me qumësht gjiri duhet të zgjatë deri në dy vjet. Ndërsa për ushqimet shtesë OBSH dhe UNICEF rekomandojnë që fëmijëve t’u jepen nga muaji i gjashtë. Ndërkaq, një fëmijë që ushqehet me qumësht formulë mund të startojë me shtesa nga muaji i katërt. Pastaj duhet t'i jepet më shumë rëndësi ushqimit të fëmijëve për një sistem të mirë imunitar. Një shprehje thotë “ashtu siç ushqehemi, ashtu edhe jemi”. Fëmijët duhet të jenë sa më larg ëmbëlsirave, ushqimeve të shpejta, pijeve me gaz, pijeve energjike (adoleshentët). Pastaj duhet të qëndrojnë sa më larg ushqimeve që përmbajnë shumë yndyrë. Është mirë të ushqehen sa më bio në mënyrë që ta kemi një imunitet të qëndrueshëm, që edhe kur sëmuremi ta kalojmë atë më lehtë.
Si ndikon i ftohti në sistemin imunitar të një individi dhe pse jemi më të prirur për infeksione në sezonin e dimrit?
Kjo ka të bëjë me rrugët e përhapjes së infeksioneve. Në stinët e ftohta qëndrojmë më shumë në ambiente të mbyllura. Mungesa e ajrosjes dhe mundësia e përhapjes së viruseve ose shkaktarëve të sëmundjes në vende të mbyllura dhe të ngrohta është shumë më e madhe sesa kur gjendemi në ambient të hapur me ajrosje të mirë. Ne shpesh mblidhemi nëpër vende të punës, qoftë nëpër tubime të caktuara, kafene, vende ku ka shumë njerëz, pastaj fëmijët shkojnë në lodra, në kopsht, në shkollë. Vetëm gjatë një kollitjeje dhe një teshtitjeje mund të lirohen 100 mijë deri 200 mijë mikrobe. Prandaj, në ambiente të ngrohta e të mbyllura këto viruse shumë më lehtë mund të përhapen nga personi i sëmurë te personi i shëndoshë dhe kjo është arsyeja pse sëmuremi më tepër në stinën e vjeshtës dhe dimrit.
Dr. Lendrit, cilat janë rreziqet më të mëdha për personat më të ndjeshëm nga i ftohti?
Rreziqet më të mëdha janë kur ne kemi një infeksion viral dhe si pasojë e tij, kur kemi një imunitet të dobët, mund të zhvillohet një infeksion i dytë bakterial që ne i themi superinfeksion. Kështu, nga një infeksion që manifestohet me rrjedhje hunde, skuqje fyti, kollitje, teshtitje mund të preket veshi, për shembull dhe të shkaktojë otit. Po ashtu, mund të preket edhe indi mushkëror që mund të shkaktojë pneumoni. Gjithashtu, mund të preket edhe cipa e trurit e të shkaktojë meningjit apo infeksion që mund të kalojë në gjak dhe të shkaktojë sepsë. Këto janë komplikime të infeksioneve bakteriale nga një sëmundje që ka filluar si virozë, manifestohet një infeksion i dytë bakterial dhe kjo vjen si pasojë e një imuniteti të dobët që ia lë mundësinë organizmit ta zhvillojë një infeksion i dytë, e që në këtë rast është një infeksion bakterial.
Si ndikon ndryshimi i klimës në përhapjen e viruseve sezonale?
Ndryshimi i klimës ndikon jashtëzakonisht shumë, për shkak se në stinën e vjeshtës kemi temperatura si të jemi në verë dhe kjo ia jep mundësinë viruseve që të rriten dhe të lajmërohen në tipe të ndryshme të viruseve. Mund të shfaqen tipe të viruseve me të cilat organizmi nuk është i njoftuar në atë stinë dhe kështu e gjen organizmin të pasensibilizuar dhe mund të shkaktojë sëmundje.
Çfarë roli luan higjiena personale dhe vaksinimi në parandalimin e viruseve apo infeksioneve të tjera sezonale?
Higjiena personale është jashtëzakonisht parandaluese në paraqitjen e infeksioneve bakteriale. Nëse kemi një higjienë personale shumë më të mirë, atëherë numri i infeksioneve do të ishte dukshëm më i vogël. Po ashtu, vaksinimi luan rol të madh kur kemi parasysh që kundër viruseve nuk ka një kurë apo një trajtim specifik, pasi viruset trajtohen me terapi simptomatike. Ndërsa me vaksinimin bëhet parandalimi i sëmundjes. Ne në Kosovë në kalendar e kemi, jo në formë të rregullt, mirëpo ekziston vaksina kundër gripit që jepet kryesisht personave që sëmuren shpesh, personave që kanë kontakte të shpeshta, që qëndrojnë nëpër vende ku ka shumë njerëz, personelit shëndetësor, edukatorëve të kopshtit, pastaj vaksinohen personat e moshuar, kryesisht pensionistët si dhe mund të vaksinohen fëmijët që kanë sëmundje kronike, siç janë diabeti, sëmundjet e zemrës, sëmundjet kronike të lindura apo të fituara, që si pasojë e këtyre sëmundjeve mund të kenë imunitet të dobët.
Dhe për fund një këshillë pa ilaçe se si duhet kujdesur për shëndetin tonë gjatë sezonit të të ftohtit?
Gjatë intervistës e përmendëm që nuk duhet të përdoren ilaçe. Kryesisht nuk duhet të përdoren antibiotikët tek infeksionet virale, për shkak që antibiotiku është antibakterial, jo antiviral. Këto viroza kalojnë me terapi simptomatike, me higjienë personale më të mirë, me paracetamol, me çaja dhe vitaminë C. Janë edhe disa këshilla shumë të dobishme për të mos u sëmurë gjatë stinëve të ftohta. Ndër to po përmendim: të ushqehemi sa më shëndetshëm, të merremi me aktivitete fizike, apo me një aktivitet të caktuar, të dalim të ecim nëpër vende ku ka ajër të pastër, të largohemi nga ëmbëlsirat, pijet me sheqer dhe me gaz si dhe është mirë që në stinët e vjeshtës dhe dimrit sidomos fëmijët të ushtrojnë not, për shkak se ndikon në ngritjen e imunitetit dhe në parandalimin e sëmundjeve.
/Motilokal.com
