Një copëz magjie nga Dardha e veshur me të bardhë/ FOTO

Një copëz magjie nga Dardha e veshur me të bardhë/ FOTO

Mëngjesin e sotëm fshati turistikë i Korçës, Dardha është zgjuar e zbukuruar nga bardhësia e borë duke marrë pamje mahnitëse. Fshatit turistikë i Dardhës ndodhet në lartësi 1344 metra dhe 20 kilometra në juglindje të Korçës.

Një prej tipareve më dallues e të bukur të fshatit Dardhë, është peizazhi i tij i paharrueshëm, ku karakteristikat e çdo stine pasqyrohen më së miri. Shtëpi prej guri, kurora të gjelbërta pyjesh që vishen me të bardhë në dimër dhe një pastërti ajri që të mbush mushkëritë e të bën të ndjehesh i rigjeneruar plotësisht. Këto cilësi kanë bërë që në Dardhë vit pas viti të shtohet numri i turistëve, si dhe i atyre banorëve të rinj, që zgjedhin të ndërtojnë shtëpinë ideale të pushimit pikërisht këtu.

Përfytyroni pak një qoshe të ngrohtë pranë zjarrit, me një libër të mirë pranë vetes apo një film klasik bardh e zi në sfond, tek sa jashtë bie borë për ditë e javë të tëra. E tillë është Dardha në dimër, thjesht magjike!

Oxhaqet ndizen e prej shtëpive të gurta të veshura nga bora dalin në sinkron retë e hirta të cilat e bëjnë akoma më përrallore pamjen që shfaqet përpara. Të shumtë janë ata që zgjedhin të provojnë dhe skitë, sport i cili prej vitesh mund të praktikohet dhe përmes paketave të posaçme.

E tek sa dimri po troket, stinët e tjera luajnë me një tablo të rrallë ngjyrash.


/Motilokal.com