Bie vlera e manganit, IKSHPK: Uji mund të përdoret për pije nga liqeni i Badovcit

Bie vlera e manganit, IKSHPK: Uji mund të përdoret për pije nga liqeni i Badovcit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), përmes një komunikate ka njoftuar se është duke vazhduar monitorimin dhe përcjelljen në vazhdimësi të cilësisë së ujit të destinuar për pije.

“Prej disa javësh vlerat e shtuara të manganit në ujin e pijes që vjen nga Liqeni i Badovcit ishin preokupim primar i IKSHPK-së dhe vet popullatës për shkak të ndikimit të manganit në shëndet”, thuhet në njoftim.

IKSHPK thotë se në bashkëveprim me KRU “Prishtina” kanë ndërmarrë masat e nevojshme për përmirësimin e gjendjes dhe uljen e vlerave të manganit në nivelin e lejuar për pije.

“Vlerat e manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës në ditët e fundit rezultojnë brenda standardeve të parapara me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 “Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij njoftimi për t’u shpallur uji higjienik dhe i sigurt për pije në zonën e furnizimit nga fabrika e Badovcit, në laboratorët e IKSHPK-se Laboratori i parametrave bazik ku testohet Mangani si parametër indikues dhe Laboratori analitik-ICPMS ku testohet mangani si metal i rëndë, sipas procedurave standarde janë kryer tri matje të njëpasnjëshme në tri ditët e fundit:

Më datën 17 nëntor: 0.025-0.05 mg/litër, më datën 18 nëntor: 0.010-0.031 mg/ litër dhe më datën 19 nëntor: 0.017-0.037 mg/ litër

Tutje thuhet se bazuar në rezultatet laboratorike, uji në zonat e furnizuara nga Liqeni i Badocit gjegjësisht – Fabrika në Badovc i plotëson kriteret të parapara me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 “Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu”(vlerat referente të Manganit 50 µg/L (0.05 mg/L). Nga sot vazhdon monitorimi i rregullt si aktivitet themelor i Qendrës së ujit brenda IKSHPK-së”.

IKSHPK rikujton se misioni kryesor i tij është mbrojtja dhe përparimi i shëndetit të popullatës dhe ky qëllim sigurohet përmes aktiviteteve dhe mbështetjes së plotë në ligjet aktuale në fuqi të përafruara me legjislacionin Evropian.

/Motilokal.com