Moti i keq po godet disa pjesë të Gjermanisë, duke shkaktuar shumë aksidente në rrugë për shkak të kushteve të rrëshqitshme nga ngrica dhe reshjet e dendura të borës, me pasojë dy të vdekur. Viktima e parë ishte një 71-vjeçar pas një përplasjeje kokë më kokë, ndërsa viktima e dytë ishte një 54-vjeçar i cili humbi kontrollin e veturës për shkak të akullit në rrugë.
Sipas informacioneve nga Shërbimi Zjarrfikës, shumë drejtues mjetesh kanë mbetur të bllokuar në automjetet e tyre, ndërsa rreth 100 persona u është dashur të kalojnë natën në hotele për shkak të dëmtimeve që kanë pësuar çatitë e shtëpive të tyre nga rënia e pemëve në Eltville, si dhe në Wiesbaden, ku 55 persona, mes tyre 27 fëmijë, e kaluan natën përkohësisht në një shkollë.
Gjithashtu, anulime të shumta kanë ndodhur edhe në linjat e trenave për shkak të uljes së dukshmërisë së shkaktuar nga reshjet e dendura të borës si dhe për shkak të akumulimit të borës, e cila sipas meteorologëve të Shërbimit Kombëtar Meteorologjik të vendit do të vazhdojë në shumë zona të Gjermanisë.
/Motilokal.com
