Çmimet e naftës ranë të martën në nivelin më të ulët të pesë muajve të fundit ndërsa është shënuar forcimi i dollarit amerikan dhe kanë rënë kërkesat për naftë. E marta ishte dita e katër radhazi e rënies së çmimeve pavarësisht se OPEC+ ka njoftuar për shkurtime vullnetare të prodhimit të karburantit.
“Marrëveshja e OPEC+ nuk ndikoi tek çmimet duke pasur parasysh rëniet gjatë katër ditëve të fundit. Duket qartë se tregu nuk është ndikuar”, tha Craig Erlam, analist për tregjet britanike, Lindjen e Mesme, Afrikën dhe Evropën me firmën OANDA.
Kontratat për të ardhmen për një fuçi nafte të papërpunuar në tregun që njihet “Brent” ranë në 77 dollarë e 22 centë. Ndërsa tregu “U.S. West Texas Intermediate” u mbyll të martën me 72 dollarë e 32 cent për një fuçi nafte të papërpunuar. Ky ishte çmimi më i ulët për të dy standardet e naftës së papërpunuar që nga 6 korriku.
Rënia e çmimit erdhi pavarësisht komenteve nga zëvendëskryeministri rus Alexander Novak, se OPEC + është i gatshëm të rrisë shkurtimet e prodhimit të naftës në tremujorin e parë të vitit 2024 për të eliminuar "spekulimet dhe paqëndrueshmërinë" nëse veprimet ekzistuese për të ulur prodhimin nuk do të ishin të mjaftueshme.
Më 30 nëntor, OPEC+ ra dakord për shkurtime vullnetare të prodhimit të naftës prej rreth 2.2 milionë fuçi në ditë për tremujorin e parë të vitit 2024. Por të paktën shkurtimi me 1.3 milion fuçi në ditë ishte zgjatje e vendimeve të mëparshme të marra nga Arabia Saudite dhe Rusia.
“Elementi vullnetar i marrëveshjes ngriti pikëpyetje për tregjet nëse ulja e prodhimit do të hynte në fuqi”, thotë Fiona Cincotta, analiste e tregut financiar me firmën amerikane StoneX.
Kremlini tha se do të duhet kohë që shkurtimet e prodhimit të naftës nga organizata OPEC+ të kenë efekt. Presidenti rus Vladimir Putin do të vizitojë të mërkurën Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite, anëtare të OPEC-ut, dhe do të presë presidentin iranian Ebrahim Raisi në Moskë të enjten.
Të ardhurat e Rusisë nga nafta dhe gazi ranë në nëntor në 10.53 miliardë dollarë, për shkak të natyrës ciklike të pagesës së tatimeve në bazë të fitimit.
SHQETËSIMET PËR KËRKESAT E TREGUT
Në Kinë, imortuesi më i madh në botë i naftës, bankat e mëdha shtetërore blenë sasi të mëdha të monedhës vendase, juan, për të parandaluar dobësimin e mëtejshëm të vlerës së saj pasi agjencia e vlerësimit Moody's e uli parashikimin ekonomik për Kinën.
Ndërkohë, vendet që po marrin pjesë në konferencën për klimën po shqyrtojnë thirrjet për një largim zyrtarisht nga karburantet fosile si pjesë e marrëveshjes përfundimtare të takimit të Kombeve të Bashkuara për të trajtuar ngrohjen globale.
Monedha amerikane shënoi rritjen më të madhe në dy javë përballë valutave të tjera pasi të dhënat e reja treguan për rënie të hapjes së vendeve të reja të punës në tetor, niveli më i ulët që nga fillimi i vitit 2021.
Ngadalësimi i tregut të punës dhe zbutja e inflacionit kanë rritur optimizmin se Banka Qendrore mund të mos rrisë më normat e interesit gjatë këtij cikli. Tregjet parashikojnë një ulje të interesit nga mesi i vitit 2024.
Një dollar më i fuqishëm mund të zvogëlojë kërkesat për naftë duke e bërë karburantin më të shtrenjtë për blerësit që përdorin monedha të tjera.
Por norma më të ulëta interesi mund të rrisin kërkesat për naftë duke ulur koston e huamarrjes për konsumatorët për të blerë më shumë mallra dhe shërbime.
/VOA/Motilokal.com
