Fotografi i mirënjohur Arian Mavriqi, po vazhdon të na freskon dhe të na njohë me fotografi të bukura nga jeta e egër. Një shpend të rrallë ka arritur ta kapë me syrin magjepsës, Shkabën.
Dikur e pranishme në tërë Kosovën, tash si habitat i saj në Librin e Kuq të faunës së Republikës së Kosovës përmendet vetëm fshati Restelicë, në komunën e Dragashit, ndërsa nuk dihet saktësisht sa individë janë.
Por, sipas Arianit ky shpend ishte në shtegtim dhe jo të ketë folezuar në Kosovë.
“Të dashur, nga sot arkivit tim i shtohet edhe Shkaba (Gyps fulvus) dhe kështu arrij numrin 198 të shpendëve të dokumentuara në trojet tona. Shkabën arrita ta fotografoj në një habitat natyror të tij, që ishte në shtegtim diku në Rajonin e Gjilanit, Kosovë. Së shpejti do ju sjell edhe një Dokumentar për Shkabën. Edhe kjo ishte një ëndërr e imja e realizuar për ta fotografuar këtë lloj shpendi në Kosovë. Për të gjitha arritjet falënderimet dhe lavdërimet ia dedikoj Allahut, Zotit të Arshit dhe të Qiejve”, ka shkruar Ariani në Facebook.
Historiku i Shkabës në Kosovës
Madhësia e këtij lloji është 93–110 cm, pesha 6000–10000 g, kurse hapja e krahëve është 234–270 cm. Disa popullata janë shtegtare, kurse disa të tjera janë rezidente. Ushqehen kryesisht me mbeturinat e vdekura të gjitarëve të mëdhenj.
Lloji i habitatit: Kullosa të klimës mesatare, zona shkëmbore (p.sh., shkëmbinj kontinentalë, maja malore).
Ky është një lloj i vendeve të hapura në mjedise të ndryshme, që nga zonat malore deri në gjysmëshkretëtira. Haset nga niveli i detit deri në rreth 3000 m lartësi mbidetare.
Afrika veriperëndimore, Gadishulli Iberik, Franca Jugore drejt pellgut të Mesdheut (përfshirë Majorkën, Sardinian, Kretën dhe Qipron), Ballkani, Turqia, Lindja e Mesme, Arabia dhe Irani drejt Pamirit dhe Kazakistanit Jugor dhe Lindor.
Përhapja në Kosovë: Restelicë.
Ky lloj vlerësohet si: Skajshmërisht i Rrezikuar, sepse dikur i pranishëm përgjatë tërë vendit, sot popullata e tij është shumë e kuizuar. Numri i individëve të rritur është ≤ 50.
Lloji është i mbrojtur në Kosovë (Udhëzim Administrativ Nr. 18/2012 Për Shpalljen e Llojeve të Egra të Mbrojtura dhe Strikt të Mbrojtura).
Ky lloj ka mundësi të rikuperohet në qoftë se mbrohet në mënyrë efektive, duke i siguruar qasje në burime të ushqimit.
/Motilokal.com
