Negociatat maratonë dhe marrëveshja historike: Çfarë lloj marrëveshjeje për Inteligjencën Artificiale arriti BE

Negociatat maratonë dhe marrëveshja historike: Çfarë lloj marrëveshjeje për Inteligjencën Artificiale arriti BE

Zyrtarët e Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje natën nga e premtja në të shtunë, e cila rregullon plotësisht përdorimin e Inteligjencës Artificiale.

Pas tre ditësh negociata që janë cilësuar si jashtëzakonisht të vështira, anëtarët e BE-së kanë arritur një marrëveshje që duhet të hyjë në fuqi në vitin 2026 dhe e cila rregullon detyrimet dhe rregullat me të cilat duhet të menaxhohet teknologjia që transformon plotësisht jetën e përditshme.

“Rregulloret synojnë të sigurojnë që sistemet e inteligjencës artificiale të përdorura në BE janë të sigurta dhe se ato respektojnë të drejtat themelore dhe vlerat evropiane”, tha Spanja, e cila mban presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Me rastin e miratimit të vendimit historik, foli edhe komisioneri evropian për tregun e brendshëm, Thierry Breton.

"Evropa po bëhet kontinenti i parë që vendos rregulla të qarta për përdorimin e inteligjencës artificiale. Kjo është shumë më tepër se një paketë rregullash. Është një pikënisje për studiuesit evropianë që do të udhëheqin garën globale për inteligjencën artificiale", tha ai.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përshëndeti miratimin e këtij vendimi.

"Një kuadër ligjor unik për zhvillimin e inteligjencës artificiale të cilit mund t'i besojmë. Evropa i ka udhëhequr këto procese dhe ka dhënë rezultatin", tha Von der Leyen.

Teksti i marrëveshjes, sipas përfaqësuesve të Parlamentit Evropian, përfshin edhe “vijat e kuqe” të tyre, të cilat konfirmojnë se disa sisteme të mbikëqyrjes biometrike që janë cilësuar të papranueshme dhe që përfshijnë kategorizimin sipas racës, orientimit seksual, politik, fetar apo bindjet filozofike, do të ndalohen.

"Kjo përfshin njohjen e emocioneve në vendin e punës dhe institucionet arsimore, si dhe sistemet që manipulojnë sjelljen njerëzore", shpjeguan ata.

Ndër rregullat e reja, zyrtarët ranë dakord për kufizime të rrepta në përdorimin e teknologjisë së njohjes së fytyrës, përveç përjashtimeve të përcaktuara ngushtë për zbatimin e ligjit.

"Përdorimi i inteligjencës artificiale për të shfrytëzuar ata që janë të pambrojtur për shkak të moshës, paaftësisë ose situatës ekonomike është gjithashtu i ndaluar. Kompanitë që nuk respektojnë rregullat përballen me gjoba prej 35 milionë euro ose shtatë për qind të të ardhurave globale", shkruan Financial Times.

/Motilokal.com