Këto janë disa nga vendimet e miratuara në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës

Këto janë disa nga vendimet e miratuara në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës

Në mbledhjen e 178-të të Qeverisë, me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve u aprovuan këto vendime:

  • U aprovua ratifikimi i projektit “Qëndrueshmëria Klimatike në Sektorin e Ujërave në Kosovë” me shtetin zviceran, në vlerë prej 8.2 milionë euro, prej të cilave 6.8 milionë euro janë grant. Ky projekt synon përforcimin e kapaciteteve të kompanive rajonale të ujit, ashtu që të kemi mjedis më të qëndrueshëm ndaj ndryshimeve klimatike, e që promovon reduktimin e ujit të humbur, efikasitetin e energjisë, si dhe përdorimin e energjisë së ripërtëritshme.
  • Në linjë me tranzicionin e gjelbër energjetik, u aprovua ratifikimi i marrëveshjes për ndërtimin e impiantit diellor "Solar4Kosova" në bashkëpunim me Qeverinë Gjermane 🇩🇪. Projekti në vlerë prej 20 milionë euro parasheh ndërtimin e një impianti diellor me kapacitet të instaluar deri në 100 MW dhe rreth 152 GWh prodhim në vit.
  • U ndanë 16.1 milionë euro për Fondin e Kosovës për Garanci Kreditore, në kuadër të marrëveshjes me Bankën Evropiane për Investime lidhur me mbështetjen në financa për Ndërmarrjet e Vogla të Mesme. Këto mjete do të përdoren nga FKGK për mbështetjen e garancisë kreditore për NVM-të.
  • Në mbështetje të bujqve dhe bizneseve të prekura nga vërshimet e shtatorit 2022 e janarit 2023, u ndanë mjete prej 4 milionë euro.
  • Për të lidhur Kryeqytetin me Vushtrrinë e Mitrovicën u aprovua nisma për negocimin e kredisë me Fondin Saudit për Zhvillim. Ky projekt në vlerë prej 13 milionë euro parasheh ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugës së dytë kryesore, duke e shndërruar atë në magjistrale me nga dy korsi në secilën anë.
  • Për Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë u ndanë 5 milionë euro në përmbushje të projekteve të parapara për vitet 2023 dhe 2024.

/Motilokal.com