Mashtrimet me ndihmën e Inteligjencës Artificiale

Mashtrimet me ndihmën e Inteligjencës Artificiale

Një muaj më parë, OpenAI lansoi mjete të reja të Inteligjencës Artificiale (IA) "të përshtatura për nevojat e secilit përdorues për çfarëdo që ata duan të bëjnë", siç tha kompania.

Por sipas gazetarëve të BBC-së, programi mund të krijojë mesazhe dhe tekste bindëse për lloje të ndryshme mashtrimesh dhe veprimesh keqdashëse brenda disa sekondash dhe jo vetëm në anglisht, por në gjuhë të ndryshme.

Ekspertët e industrisë argumentojnë se GPT Builder mund t'u japë kriminelëve akses në robotët më të avancuar të krijuar ndonjëherë.

Gazetarët e BBC-së i kërkuan GPT Builder të krijojë mjete për të mashtruar përdoruesit përmes dërgimit të emaileve, mesazheve me tekst dhe postimeve në mediat sociale. Ata krijuan një chatbot të quajtur Crafty Emails dhe i kërkuan të shkruante tekste duke përdorur "teknika që i shtyjnë njerëzit të klikojnë në lidhje ose madje të shkarkojnë gjërat që u dërgohen."

Për shembull, ata i kërkuan chatbot-it të shkruante një mesazh bindës duke pretenduar të ishte një "princi nigerian". Crafty Emails shkroi një mesazh të tillë duke përdorur një gjuhë të ngarkuar emocionalisht që "qëllonte mirësinë njerëzore dhe parimet e reciprocitetit". BBC News gjithashtu i kërkoi të shkruante një mesazh duke pretenduar të ishte një vajzë në telashe të papritura dhe duke përdorur telefonin e një të huaji për t'i kërkuar nënës së saj para për të marrë një taksi. Ky është një mashtrim i zakonshëm në mbarë botën i njohur si "Hej Mami".

Përdorimi me qëllim të keq i Inteligjencës Artificiale është një shqetësim në rritje, me autoritetet kibernetike në mbarë botën që kanë lëshuar paralajmërime muajt e fundit. Në të njëjtën kohë, OpenAI premton të sigurohet që këto mjete nuk mund të përdoren me qëllim të keq. Por ekspertët thonë se OpenAI deri më tani po dështon ta përmbushë atë premtim, duke u dhënë potencialisht kriminelëve një mjet më të avancuar të IA-së.

/Motilokal.com