Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, udhëhequr nga kryetarja Fitore Pacolli-Dalipi, mbajti mbledhjen e radhës, në të cilën i ftuar për të diskutuar lidhur me raportin mjedisor për vitin 2022 ishte ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Ministri Aliu paraqiti raportin mjedisor në të cilin u përfshinë të dhëna mbi gjendjen e mjedisit, ndryshimet në mjedis krahasuar me raportin paraprak, presionet në mjedis, ndikimet mjedisore në shëndetin e qytetarëve, zbatimin e strategjisë dhe planit të veprimit, masat e ndërmarra në mbrojtje të mjedisit, funksionimin e institucioneve mjedisore si dhe financimin e sistemit për mbrojtje të mjedisit.
Sipas tij, kompetencat e kompanive rajonale nuk janë mirë të përcaktuar prandaj edhe ka probleme, duke shtuar se deponitë janë në gjendje të rëndë. Prandaj sipas tij, komuna duhet të ndërtojnë qendra të riciklimit.
Ai tha se raporti për gjashtë muajt e parë dhe të dytë do të duhej të shqyrtohet bashkërisht. Jemi në ndryshim të strategjisë dhe jemi duke përgatit projekte që e rregullojnë punën e menaxhimit të mbeturinave”.
Tutje ministri Aliu se problem janë kompanitë regjionale, ndërsa kemi kompani qendrore të deponimeve, që mbi kompanitë regjionale nuk ka ndonjë autoritet. Komunat nuk janë nën menaxhim të tyre nuk mundet një kryetar me marr kompetencë menaxhimin e tyre”.
“Prandaj po dua me ia lënë nën menaxhim komunave me ndërtuar qendra të riciklimit. Jemi në një hap drejt rregullimit, depononit janë në gjendje të rëndë, qoftë Prishtina, apo cilido qytet”, u shpreh Aliu.
Ndërsa deputetja e PDK-së Ganimete Musliu tha se raporti për vitin 2022 nuk ka efekt që të shqyrtohet. Sipas saj, shqetësim është prezenca e mbeturinave të shumta sidomos në kryeqytet për çka kërkoi të merren masa me seriozitet dhe urgjencë.
“Metoda e shqyrtimit është e papranueshme na merrem me probleme të vitit 2022, çfarëdo rekomandimi që i japim më këtë raport nuk hynë në funksion të vitit 2024. Për mu është e pakuptimtë, do të duhej të shqyrtohej raporti i këtij viti. Nuk shoh përmirësime të gjendjes, po vazhdon të jetë problematike gjendja e deponive të mbeturinave, shqetësim është prezenca e mbeturinave të shumta”, tha ajo.
Deputetja Musliu tha duhet gjetur mundësi për të raportuar brenda afatit kohor sa i përket mbeturinave është shqetësim i madh nëpër lagjet e qytetit me i pa kontejner e mbeturinave të stërmbushur vijnë i marrin vetëm ato që janë në kontejner sepse nuk ka metodë nuk ka vëzhgim të kamerave.
Pas diskutimeve raporti mjedisor për vitin 2022 me shumicë votash u miratua nga ana e komisionit.
Më pas u shqyrtua dhe miratua në lexim të parë Projektligji për shpronësimin e pronës së paluajtshme. Po ashtu, komisioni shqyrtoi dhe i dha mbështetje edhe Projektligjit për rregullat e trafikut rrugor.
/Motilokal.com
