AUV ndalon pije energjike, ishin me afat të skaduar

AUV ndalon pije energjike, ishin me afat të skaduar

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se kanë gjetur dhe ndaluar pije energjike me afat të skaduar të cilat për destinacion kanë pasur tregun e Kosovës.

Në njoftim thuhet se Agjencitë shtetërore për ruajtjen e kufirit që funksionojnë në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, AUV, Doganat dhe Policia mbrëmë në pikën kufitare Vërmicë kanë ndaluar një sasi prej në sasi 1,836 njësi-paketime pije energjike (power drink).

Sipas AUV-it, gjatë kontrollit të detajuar të ngarkesës inspektori kufitar ka gjetur brenda ngarkesës produkte me afat të skaduar dhe për të njëjtat menjëherë ka nxjerrë vendim refuzimi duke pamundësuar hyrjen e tyre në treg të Republikës së Kosovës.

AUV ka theksuar se produktet tilla do të asgjësohen nën mbikëqyrje të autoriteteve kompetente.

“Me rritjen e fluksit të importit të produkteve ushqimore në prag të festave të fund vitit, AUV ka shtuar masat e kontrollit në import në të gjitha fazat e kontrollit inspektues. Po ashtu është rritur edhe frekuenca e mostrimit me qëllim testim/ekzaminimi laboratorik në parametra të sigurisë ushqimore. Përveç produkteve të klasifikuar si të pasigurta për konsum, për të cilët është nxjerrë vendim refuzim, në të njëjtën maune janë hasur edhe sasi tjera produktesh ushqimore të klasifikuara si të dyshimta për konsumim”, thuhet në njoftim.

Autoritetet kufitare ( AUV, DK dhe PK) kanë ndaluar ngarkesën në fjalë.

“Produktet e tilla do qëndrojnë në pikë kontrolli kufitar deri në konfirmim të rezultateve laboratorike. Varësisht nga rezultatet e testeve laboratorike merret vendimi përfundimtar”, tha AUV.

/Motilokal.com