Si të mbroheni nga efektet e dëmshme të ajrit të ndotur

Si të mbroheni nga efektet e dëmshme të ajrit të ndotur

Me ardhjen e dimrit edhe ndotja e ajrit rritet. Në shumë qytete të botës përfshirë edhe Prishtinën këto dita ndotja ka arritur parametra të larta.

Ndotja e ajrit përfaqëson përqendrimin e substancave të dëmshme përtej kufirit të tolerancës, e cila dëmton dhe përkeqëson drejtpërdrejt shëndetin e njeriut, ndërsa efekti i saj indirekt manifestohet përmes një efekti të dëmshëm për kafshët shtëpiake dhe bimësinë.

Gjatë episodeve të rritjes së ndotjes së ajrit, është e nevojshme të kufizohet lëvizja e fëmijëve, pacientëve kronikë dhe madje edhe personave të shëndetshëm në ambiente të hapura.

Rekomandimet për popullatën janë që të reduktohet maksimalisht lëvizja dhe ekspozimi në masën më të vogël të mundshme për këtë periudhë të përqendrimeve të ngritura gjatë gjithë ditës. Ekspozimi ndaj përqendrimeve jashtëzakonisht të larta mund të ketë pasoja serioze negative shëndetësore, jo vetëm për popullatën vulnerabël, por edhe për popullatën e shëndetshme.

Nëse ende duhet të dilni jashtë, duhet të vishni maska të frymëmarrjes me filtra të përshtatshëm që nuk lejojnë të kalojnë grimcat më të vogla se 10 mikron. Gjithashtu, maskat kirurgjikale, si dhe shallet dhe shamitë, nuk ofrojnë asnjë mbrojtje. Ndaj qytetarët duhet të përdorin maska që kanë standardin evropian filtri FFP 2 ose 3 dhe standardin amerikan N95 ose N99.

Gjithashtu, ushqimi i duhur është shumë i rëndësishëm. Një dietë e ekuilibruar e pasur me fruta, perime, arra, bishtajore dhe yndyra të shëndetshme mund të sigurojë mbrojtje kundër disa prej efekteve negative të ndotjes së ajrit. Sigurohuni që të konsumoni sasitë e rekomanduara të vitaminave për të forcuar imunitetin tuaj. Çaji i gjelbër me barishte mund të ndihmojë në luftimin e disa efekteve negative.

Marrja e shtuar e grimcave të ndotura në organizëm mund të ketë pasoja negative për shëndetin e banorëve dhe ekspozimi i vazhdueshëm ndaj këtij ndikimi sjell probleme të shumta shëndetësore. Hulumtimet kanë treguar se në zonat urbane ku qytetarët thithin sasi më të mëdha të gazrave dhe grimcave të dëmshme, ata kanë më shumë gjasa të vuajnë nga sëmundje kronike si bronkiti, astma, emfizema.

Veçanërisht rekomandohet të shkoni në male gjatë episodeve të rritjes së ndotjes së ajrit për shkak të lartësisë mbidetare dhe ajrit të pastër që redukton ndikimin e grimcave negative.

/Motilokal.com