Qeveria e Kosovës paralajmëron qytetarët: Keni kujdes në trafik, nuk ju falim!

Qeveria e Kosovës paralajmëron qytetarët: Keni kujdes në trafik, nuk ju falim!

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, së bashku më drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë mbajtur sot një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku kanë folur për sigurinë në trafik, sidomos tashmë pas rasteve të fundit.

Me këtë rast ministri Sveçla ka folur për ashpërsim të masave për shkelësit e rregullave në trafik, sidomos pas vdekjeve të fundit të tre qytetarëve të Kosovës në aksident me gara ilegale me vetura.

Sveçla pohoi se ka biseduar me drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, për të ndërmarrë masa konkrete për parandalimin e këtyre garave.

“Policia e Kosovës, të njëjtit grup ia kishte parandaluar dy herë organizimin e garave të tilla. Siç tashmë është bërë publike në media, të njëjtit kanë pasur gjoba të njëpasnjëshme nga Policia e Kosovës për tejkalim shpejtësie dhe rrezikim në komunikacion, ndërsa njërit prej tyre i është konfiskuar patent-shoferi për tejkalim shpejtësie dhe filmim e publikim i këtyre garave”.

Ministri ka bërë të ditur se këto gara dhe kundërvatjësit e ligjit në përgjithësi nuk do të falen nga organet e drejtësisë.

Ndër masat e paralajmëruar që ka paraqitur ministri Sveçla janë:

  • Aktivizimi i të gjithë mekanizmave ndër-institucional për veprim në reagim dhe parandalim;
  • Inicimi i hetimeve disiplinore për përgjegjësi menaxheriale;
  • Lëvizja e dy komandantëve të trafikut;
  • Plan i ri operativ për sigurinë në trafik;
  • Kërkesa për ministrinë e infrastrukturës për radar dhe kamera;
  • Ashpërsimi i masave për kundërvajtje në ligjin për trafikun rrugor;
  • Adresimi ligjor për bartjen e përgjegjësit tek pronari i mjetit.

Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se Policia e Kosovës për objektiv kryesor ka ngritjen e nivelit të sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimin e aksidenteve.

Drejtori Hoxha vuri në dukje se me qëllim të përmbushjes së Planit Zhvillimor Strategjik të PK-së 2021-2025 ku një ndër objektivat parasheh modernizimin e pajisjeve për kontroll dhe mbikëqyrje të trafikut rrugor janë furnizuar me vetura me pajisje inteligjente “smart patroll”, radar mobil që dëshmojnë kundërvajtjet në trafik, e po ashtu në të ardhmen synojmë të pajisemi me radar statik, pajisje për lëshimin e gjobave në mënyrë elektronike si dhe për një transparencë më të madhe të punës policore ndaj publikut kemi filluar përdorimin e kamerave të trupit për zyrtarë policorë të njësive të trafikut.

/Motilokal.com